Në morinë e ndeshjeve që janë luajtur sot në Europa League ka kaluar pa rënë në sy një tjetër futbollist shqiptar, i cili ka regjistruar ndeshjen e parë sezonale dhe gjithashtu ka debutuar në kupat e Europës.
Bëhet fjalë për mesfushorin Arbër Basha, i cili këtë verë ka lënë Superioren shqiptare dhe ka firmosur për Trans Narvën në Estoni.
20-vjeçari luajti sot 12 minutat e fundit në sfidën mes Trans Narvas e Zeljezniçarit, fituar 2-0 nga boshnjakët.
Një ndeshje aspak e lehtë për estonezët, që nuk kanë ndonjë nivel të lartë futbolli, por një ndeshje për t’u mbajtur mend për Bashën, që vijon rritjen, pas një sezoni të nisur te Vllaznia e Pozharanit në Kosovë dhe të mbyllur te Kamza.
Trans Narva është në vendin e katërt në kampionat dhe me shumë gjasa ky pozicion e çon sërish në Europa League, ndaj për Bashën është një mënyrë e mirë për të fituar eksperiencë dhe për të luajtur sa më shumë.