Nëse u hedh një sy skuadrave që marrin pjesë, formacioneve që zbresin në fushë dhe impenjimit apo motivimit, e kupton qartë që nga viti në vit “Kupa Pavarësia” jo vetëm ka humbur sensin dhe qëllimin, por po bëhet gjithnjë e më shumë një format aspak tërheqës, deri në bezdi për ata që zbresin në fushë dhe në fund festojnë pa asnjë tifoz në stadium dhe pa asnjë shpërblim financiar. Kësisoj, në këto kushte e udhës është që të reflektohet mbi një turne, i cili teorikisht duhet të jetë intrigues. Klubet shqiptare në trojet shqiptare, pavarësisht se në shtete të ndryshme, në një ligë pavarësie dhe me sens kombëtar. Një format i tillë nuk mund të limitohet në një turne 2-3 orësh me ndeshje nga 45 minuta.
Askush nuk po kërkon ligën e madhe kombëtare, sepse ajo nuk ka asnjë sens sportiv apo financiar, por një Kupë qoftë, kjo dhe e shtrirë në kohë mes ekipeve shqiptare kudoqofshin, do ishte mjaft interesante dhe do rriste ndjeshëm ndër-aktivitetin e një kombi të ndarë në të paktën 4 shtete kufitare. Champions League e Shqipërisë në thonjëza, mund të përfshinte një numër të madhe skuadrash, një kupë e cila mund të niste që në janar me eliminim direkt, për të përfunduar më pas në 28 nëntor. Kjo formulë do kërkonte investimin shtetit, sepse kostot do ishin të mëdha. Përveçse duhen mbuluar shpenzimet, klubet pjesëmarrëse do duhet të shpërblehen financiarisht, njësoj si bën UEFA në Champions apo Europa ligë. Këtu nuk flitet për shifra të njëjta, por për stimuj që të krijohet mundësia e një gare sportive. Imagjinoni nëse më shumë se 40 skuadra me eliminim direkt do merrnin pjesë në një format me sistem eliminimi vajtje-ardhje, derisa të kulmonte në një finale. Fituesja ndoshta nuk do shkonte në Europë, por do konsiderohej një fituese mbarëkombëtare. Pak a shumë si Kupa e Mbretëreshës në Angli. Mbreti ynë është flamuri.