Një përgjigje për të gjithë kritikët, historia brilante e nxjerrë nga Egbo: Mos u zemëro, je në vendin e gabuar!

Nga Klaudio Ndreca

Sado arritje dhe suksese mund të bëhen nga një trajner, në Shqipëri do të ketë gjithmonë vend për kritika. Rasti i fundit me Egbo te Tirana e tregon qartësisht se qetësia nuk mund të fitohet kurrë, madje as me ecuri mbreslënëse. Nëse në një vend tjetër një trajner do të merrte vetëm një humbje dhe një barazim në 20 ndeshje të zhvilluara, praktikisht do të ishte “Zoti” për ta.

Por në Shqipëri nuk ngurrojnë të bëhen edhe gjyqe mediatike, duke treguar në këtë mënyrë se në vendin tonë janë shumë mjeshtëra, ose në të kundërt shumë mëkatarë. Teksa Tirana po afrohet edhe më tepër me titullin kampion janë shtuar zërat që Egbo duhet të largohet nga ekipi. Nëpërmjet një historie domethënëse dhe kuptimplotë të shpërndarë në rrjetet sociale, trajneri i Tiranës u kthen kritikëve përgjigjen më të bukur:

“Një ditë babai i tha vajzës: “Ti u diplomove me sukses, këtu e ke makinën që unë e bleva vite më parë…është disa vjeçare. Por përpara se unë ta jap ty, mere atë dhe dërgoje te makinat e përdorura në qendër të qytetit. U thuaj që dua ta shes dhe shih sesa do të ofrojnë.

Vajza shkoi dhe kur u kthye i tha babait të saj: “Më ofruan vetëm 1.000 dollarë se makina ishte shumë e përdorur”. Babai i kthehet: “Dërgoje te një dyqan që ta lesh peng makinën”. Kur vajza u kthye i tha babait: “Më ofruan vetëm 100 dollarë se makina ishte e vjetër”. Atëherë babai i tha vajzës që të shkonte në një dyqan të vërtetë makinash dhe t’ua tregonte atyre.

Vajza u kthye dhe i tha babait: “Disa njerëz më ofruan mua 100.000 euro pasi është një Nissan Skyline R34, një makinë ikonë dhe kërkohet nga shumë njerëz”. Në atë moment i kthehet babai: “Unë doja që të bëja të kuptoje se në vendin e duhur, ty do të vlerësojnë në mënyrën e duhur. Nëse nuk të vlerësojnë, mos u zemëro, do të thotë se je në vendin e gabuar. Ata që e dinë vlerën tuaj janë ata që të vlerësojnë. Kurrë mos qëndro diku ku nuk ta njohin vlerën”. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *