Një ndeshje e trukuar trondit futbollin rus

0

Ndeshje të manipuluara në futboll, për fat të keq, ka shumë, edhe pse rrallë bien në sy dhe thuajse asnjëherë nuk ka prova, ndaj edhe UEFA tashmë ka vendosur që të dënojë klube edhe thjesht duke gjykuar nga luhatjet e kuotave të basteve.

Megjithatë, në Rusi e kanë zbuluar një ndeshje të trukuar dhe bëhet fjalë për kategorinë e tretë.

Skuadra Smema nga Komsomolsk-na-Amure, pranë Kinës, në nëntor humbi një ndeshje në fushën e vet me Irtyshin e vendit të fundit, 0-1. Kuota për Irtyshin ishte rreth 9, pasi Smena është ndër skuadrat e kreut dhe synon ngjitjen në divizionin e dytë rus.

Bëhet fjalë për futboll profesionist, por natyrisht shumat që luhen në kampionate të tilla janë shumë të vogla.

Kur u tejkaluan disa shifra, pati një sinjalizim në Federatën ruse dhe nisi një hetim, që zbuloi se futbollistët titullarë Bazajev e Baldin dhe ish-futbollisti i Smenas Gusalov, kishin luajtur baste për humbjen e Smenas. Gusalov u largua nga Smena në gusht, kur u zbulua që kishte borxhe pa fund.

Pas hetimit dhe evidentimit të trukimit, Bazajev e Baldin pranuan se kishin shitur ndeshjen te një person i cili kishte luajtur shifra të konsiderueshme në Moskë. Bëhej fjalë për 10-15 mijë euro të luajtura për humbjen e Smenas, që nënkuptonin një fitim mbi 100.000 euro.

Lojtarët do të merrnin shifra modeste, rreth 1500 euro secili. Të tre lojtarët janë përjashtuar për dy vjet nga futbolli, ndërsa Smena nuk është dënuar, edhe pse ka pasur akuza se e gjithë skuadra e dinte trukimin dhe do të merrte pjesën e vet, mbi 1000 euro çdo lojtar. Duken pak, por në kategorinë e tretë ruse pagat mujore nuk e kalojnë shifrën 500 euro dhe premiot për fitore nuk shkojnë mbi 150 euro për ndeshje, e shumta.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.