“Një muaj më parë i shihja në Champions Leage”, Simoni rrëfen emocionet e kalimit në Frankfurt: Do kem pranë një portier si Kevin Trap

Simon Simoni ka firmosur një nga marrëveshjet më të mëdha jo vetëm të karrierës së tij, por edhe të futbollit shqiptar. Nga Dinamo, portieri 18-vjeçar do të transferohet te Ajntrakti i Frankfurtit. Këta të fundit luajnë në Bundesligë dhe sezonin e shkuar arritën të fitonin Europa Ligën dhe të marrin pjesë kështu në Ligën e Kampionëve. Një mundësi e shkëlqyer për karrierën e Simonit, i cili do të ketë mundësinë të mësojë nga një prej portierëve më të mirë të Gjermanisë, Kevin Trap. Në një intervistë me gazetarin Jurgen Zela për “Supersport“, ai tregon ndjesitë e para pas nënshkrimit të kontratës me Ajnktraktin e Frankfurtit.

“Që nga momenti që mora vesh që Ajntrakti i Frankfurtit kishte interes për mua isha shumë i lumtur. Deri diku edhe nuk më besohej. Ishte një ëndërr për mua, sepse një muaj më parë e shihja Ajntraktin e Frankfurtit në Champions League dhe normale është një ëndërr për një 18-vjeçar që luan në Shqipëri. Në fakt ka qenë ëndrra ime që i vogël të merrja pjesë në një ekip europian dhe tani u realizua. Jam shumë i kënaqur që firmosa me Ajntraktin e Frankfurtit. Është privilegj për mua. Unë do të jap maksimumin aty.

Në fillim shkova kreva vizitën mjekësore, pastaj shkova te klubi për të firmosur. Normalisht, gjithkush aty më mirëpriti dhe i falenderoj të gjithë që më erdhën pranë dhe më mbështetën. Pashë shumë gjëra që në Shqipëri nuk janë. Gjithçka ishte profesionale. Nuk duhet të më ndjeki ajo euforia e momentit. E di se kam shumë punë për të bërë. Jam ende i vogël. E di sa i vështirë është një kampionat i tillë.

Jam shumë i lumtur që pranë kam një portier si Kevin Trap. Është një portier jashtëzakonisht shumë i mirë. E di se çfarë karriere ka ai. Është shumë e vështirë, por gjithçka mund të ndodhë në futboll. Dua që kur të arrij 21 vjeç të jem pjesë e ekipit dhe të luaj në Bundesligë. Shumë persona më kanë mbështetur te ekipi kombëtar. Ëndrra për mua është të marr pjesë vazhdimisht te ekipi kombëtar dhe të debutoj aty”, ka deklaruar Simon Simoni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *