Anton Cicani
Ndoshta sonte jemi të gjithë pak më shumë kroatë! Jo sepse i kemi fqinj “të mirë”. Jo sepse i respektojmë në maksimum dhe na respektojmë. Jo sepse na ndihmuan jashtë mase duke mos ekstraduar “birin tonë”, Ismail (Ballist) Morinën në Serbi. Jo sepse kanë qenë të parët që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Jo sepse në kampionatin tonë kanë luajtur shumë kroat. Jo sepse janë një shembull për ne. Por, SEPSE PO NA EMOCIONOJNE!
Si mundet një vend me vetëm 4 milionë banorë të ngjisë majat e futbollit botëror? E thjeshtë! Punë, pasion, zemër, dëshirë dhe sidomos profesionalizëm…
Një model për t’u ndjekur nga të gjithë. Kanë kaluar Luftën e Pavarësisë, më të egrën e ndodhur në Ballkan, por nuk janë dorëzuar dhe janë rritur edhe më të fortë, edhe më të guximshëm, aq sa nuk dinë të thonë “mjaft”! Shembulli? Mario Manxhukiç! i sakatuar, i stërmunduar, në frymën e fundit, po që gjen forcë për të shënuar dhe për t’i dhënë një ëndërr kombit.
Atij kombi që tani është krenar më shumë se kurrë dhe që, sido që të shkojë në finale, do të përulet përpara futbollistëve të saj, që janë ikona dhe jo thjesht atletë…
Vërtet, luajnë në klubet më të mira në botë, por askush nuk i fali asgjë. Përkundrazi, gjithçka e fituan vetë. Nga fëmijëria e trazuar mes bombave dhe armëve te balta, varfëria dhe shumë halle të tjera. Të gjithë, të bashkuar, më shumë se kurrë.
Kroacia ëndërron, por bashkë me ata ëndërrojmë edhe ne. Sepse, një ekip ballkanas që fiton Kupën e Botës do të thotë një epokë e re. Jo më kot jemi rajoni më i lashtë në Europë!