Prej një dekade në Shqipëri ekziston KAS. Jo ai i famshmi i Lozanës, por një organ tjetër, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, i krijuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në fakt, nuk është se e njeh ndokush dhe nuk e di askush çfarë ka bërë në ekzistencën e vet, në një kohë që edhe në faqen zyrtare të KOKSH nuk ka asnjë njoftim, përveç datës së krjimit dhe një informacion i shkurtër i para 7 viteve, në lidhje me atë që përfaqëson KAS.
Duke lexuar në faqen e KOKSH: “KAS” nuk është një Gjykatë shtetërore, por një Institucion Arbitrazhi i njohur nga legjislacioni shqiptar në fuqi; Si i tillë, gjykimet pranë “KAS” bazohen në konsensusin e vetë palëve, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe konfliktet pranë këtij Institucioni.
Tani KAS-i shqiptar zgjohet dhe i ka dërguar një letër FSHF-së ku e njofton se është e legjitimuar të zhvillojë një gjykim në lidhje me ankesën e Bashkim Finos për zgjedhjet e fundit për kreun e FSHF-së.
E thënë shkurt, KAS-i shqiptar kërkon të vendosë për zgjedhjet që i njohu UEFA, në një kohë që zakonisht për çdo problem ne shkojmë në CAS-in e Lozanës, si në rastin e Skënderbeut, që kërkoi titullin e sezonit 2015/16, hequr nga FSHF-ja.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i ka kthyer përgjigje KAS-it shqiptar, duke ia bërë të qartë se për FSHF-në nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë ndonjëherë, ndërsa çështja e zgjedhjeve për kreun e FSHF-së mund të shkojë vetëm në CAS-in e Lozanës, pasi atë njeh FSHF.
LETRA E DUKËS
Përgjigje një letre të marrë në datën 16.04.2018 nga dikush që prezantohet si Këshilli i Arbitrazhit Sportiv.
Kujtdo që na është drejtuar si KAS,
I/E nderuar zonjë/zotëri që prezantohesh si Sekretar i një organizatë që sipas jush quhet KAS,
Kemi marrë në adresën tonë letrën e quajtur Njoftim të datës 10.04.2018, ku na bëni të ditur se për rrethana apo kondita që janë të panjohura prej nesh ju na bëni të ditur se mesa duket e konsideroni vetën përfaqësues të një organizate që qenka e legjitimuar të zhvillojë një lloj procedure gjykimi në lidhje me disa çështje që lidhen me organizatën tonë. Nëse ka qenë një gabim njerëzor ju lutem na thoni.
Po ashtu na bëni të ditur se këtë nismën po e coni përpara në sajë të kërkesës së një prej anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, të nderuarit z. Bashkim Fino, kërkesë për arbitrazh kjo që na keni përcjellë gjithashtu. Në asnjë moment nuk duket të dyshoni në kompetencat tuaja për të vlerësuar këtë cështje dhe na ftoni të zbatojmë një farë rregullore tuajën, e madje na keni caktuar, Ju i paidentifikuar sekretar, edhe disa afate të cilat duhet t’i zbatojmë, duke na kërkuar të caktojmë edhe një arbitër nga një listë që keni përcjellë ju vetë, ku nuk njohim dhe as mund t’i besojmë asnjë individi.
Në këto kondita duhet t’ju lajmërojmë se në rradhë të parë FSHF nuk ka asnjë marrëveshje arbitrazhi me të nderuarin anëtar të Parlamentit, z. Bashkim Fino, dhe nuk e kuptojmë dot si mund të jemi ftuar në arbitrazh prej tij pa e patur këtë marrëveshje.
Ndërkohë ju lutem të identifikoni organizatën tuaj me të gjitha të dhënat juridike të nevojshme të saj, vendim gjyqësor apo NUIS, statut e të tjera akte të nevojshme për identifikimin e një personi juridik. Më pas ju lutem identifikohuni ju i nderuar Sekretar dhe na sqaroni pak edhe se cfarë është kjo rregullorja dhe cfarë ekspertize kanë këta zotërinjtë që na keni imponuar si arbitra, kush i zgjedh ata, pse smund të zgjedhim një tjetër.
Por ndërkohë, nëse ju jeni pjesë e asaj organizatës që nuk lindi kurrë e që ja ka ndërruar disa herë vetes emrin në KOSH, KOKSH, KOKSHI etj, një organizatë parapolitike e krijuar nga Qeveritë e Republikës së Shqipërisë, ju lutem të ndërprisni cdo veprim të mëtejshëm në lidhje me këtë cështje. Federata Shqiptare e Futbollit dhe organizatat ndërkombëtare ku ajo aderon nuk kanë njohur dhe deri më sot nuk njohin mundësinë për t’i shtruar cështjet tona ligjore para atij që për herë të fundit në vitin 2010 kërkohej të na impnohej nga Ministri i Sportit si Arbtrazh Sportiv ndërkonfederativ. Është për këtë shkak që në statutin (neni 10) tonë deri sa një institucion i tillë të pranohet sipas standardeve të UEFA dhe FIFA, cështje i referohen CAS/TAS Laussane. Deri më sot nuk kemi marrë nga organizatat ku aderojmë një opinion të kundërt në lidhje me këtë cështje.
I nderuar i panjohur, sa po ju të vendosni të identifikoheni, ne ndoshta do ta vijojmë komunikimin tonë duke qenë pak më të informuar. Po ashtu do shikojmë edhe mundësinë e hapave ligjore ndaj atyre që na shqetësojnë pa shkak dhe pa tagër në veprimtarinë tonë shumë domethënëse për përparimin e sportit me të dashur në planet.
Në pritje të identitetit tuaj,
Armand DUKA
President