Egin Doda ka mbyllur karrierën e tij në arbitrim ditën e djeshme. Klasikja mes Tiranës dhe Vllaznisë ishte përballja e fundit që ai dha kontributin e tij në ndarjen e drejtësisë. Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit ka vlerësuar kontributin e tij ndër vite në futbollin shqiptar. Presidenti i Shoqatës dhe Bujar Pregja kanë nderuar Dodën përpara sfidës Tirana-Vllaznia. BASHF-ja ka shpërndarë në llogarinë zyrtare një postim për Egin Dodën, ku ka shprehur respektin për karrierën gati 30-vjeçare të arbitrit shqiptar.
“Vlerësim për anëtarët tanë! Një jetë në shërbim të futbollit shqiptar. Pas gati tre dekadash kontributi në arbitrim, Egin Doda zhvilloi dje ndeshjen e tij të fundit si asistent arbitër, në takimin mes Tiranës dhe Vllaznisë.
Përpara nisjes së ndeshjes, Presidenti i BASHF-së, Tahir Kastrati, dhe kryetari i Kolegjiumit Tiranë “Luan Zylo”, Bujar Pregja, e vlerësuan për kontributin e tij ndër vite.
Egin Doda iu përkushtua arbitrimit që prej vitit 1997, duke gjykuar shumë ndeshje në futbollin shqiptar me profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim. Dje, ai mbylli zyrtarisht karrierën e tij si arbitër, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë dhe të respektuar në shërbim të lojës. Faleminderit për gjithçka, Egin Doda”, ka shkruajtur BASHF-ja./Sport Ekspres/