Një karrierë në rënie, 27-vjeçar i jep fund me futbollin e luajtur: Padrejtësi të mëdha!

Futbolli ka parë shumë futbollistë që janë detyruar të tërhiqen para kohe, pasi dëmtimet nuk i kanë lënë të vazhdojnë më tutje. Mbrojtësi Roland Peqini ka vendosur t’i japë fund me futbollin e luajtur, pasi do t’i përkushtohet biznesit të tij. Me fjalë më të thjeshta, përfitimet që merrte nga ushtrimi i profesionit të futbollistit nuk ishin të mjaftueshme, prandaj vendosi që ta mbyllte në moshën 27-vjeçare. Një karrierë në rënie ajo e Peqinit, pasi nga ekipi si Kukësi, Tirana në Superiore, përfundoi te Dinamo në Kategorinë e Parë ku luajti dhe sezonin e fundit.

Postimi i tij i plotë –  “Miqtë e mi! Emocione të forta kam përjetuar në futboll,më shumë sot që duhet t’i them me keqardhje “Lamtumirë”!
E kam nisur shumë i vogël në Elbasan dhe më pas m’u dha shansi që të jem pjesë e Dinamos, Apolonisë, Tiranës, Kukësit,Terbunit dhe sërish në Elbasan për ta mbyllur sezonin prap me Dinamon që më dha emër dhe mbi të gjitha përfaqësim dinjitoz si dhe trofe, pa harruar edhe fanellën kuqezi!
Si dy here fitues i Superiores, si pjesmarres ne finalet e kupave dhe superkupave te futbollit shqiptar, por edhe paraqitjeve me Kukësin deri në fazën “play off” të Europa League. Jam tepër i lumtur për këtë karrierë të pasur, por sot, i detyruar nga një obligim personal dhe që e shoh se është rruga ime e së ardhmes dua t’iu them se largohem nga fusha si futbollist.


Do t’i përkushtohem punës time në palestrën “Puma Fit Club” ku kam zgjedhur zonën e Crossfit që ka qenë gjithmonë një pasion i imi dhe për këtë gjë po ndjek e po bëj një specializim jashtë Shqipërisë .
E di që është shumë shpejt për t’u larguar përfundimisht nga futbolli sepse forma ime fizike dhe pjekuria në lojë do t’i jepte shumë çdo ekipi ku do isha pjesë. Por me karakterin që kam e shikoj të pamundur të bashkëjetoj me padrejtesitë dhe mosvlerësimin e personave të paaftë që nuk vleresojne talentet, por e shohin futbollin si mundësi perfitimi.Falenderoj shumë të gjithë ata që kanë punuar perkrah meje dhe më kanë mbështetur e përkrahur duke më vlerësuar. E natyrisht nuk mund të harroj kurrë personat që me një vizion shumë të ngushtë ndaluan ecurinë e karrierës time!! Uroj shumë që këta persona mos të jenë më pjesë e së ardhmes së futbollit shqiptar. Në këtë mënyrë do ecin përpara talentet e jo të përzgjedhurit për interes. Edhe një herë faleminderit shumë për emocionet që më dhurove Futboll”, – shkruan Peqini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *