Një karantinë e dytë për Thomas Strakoshën te Lacio, “virusi” Reina që nuk i lë as Serinë A (VIDEO)

Nga Klaudio Ndreca

“Kam ardhur këtu për të ndihmuar Thomas Strakoshën siç kam bërë me Donarumën, jo për qenë konkurrent i tij”. Kështu do të shprehej Pepe Reina menjëherë pasi nisën diskutimet se kush do të ishte portieri titullar i Lacios. Pasiguritë që e kanë shoqëruar gjithmonë gardianin kuqezi dhe njëkohësisht karantina për shkakun e prekjes nga Koronavirusi, i dhanë mundësinë Reinës për të treguar afësitë e tij.

Tifozët, trajneri dhe opinioni sportiv ranë në të njëjtën mendim se gardiani spanjoll nuk duhet të preket. Strakosha do të kishte edhe një mundësi pas kthimit duke u aktivizuar si titullar kundër Udinezes, por atje do të nxirrte tre herë topin nga rrjeta dhe thuajse nuk bëri asnjë pritje të vetme. Reina u kthye sërish si titullar ndaj Dortmundit në “Champions League”, për të marrë rolin e protagonistit në ndeshjen më të rëndësishme.

Surpriza ka vazhduar me Inzagin në ditën e sotme teksa Reina është aktivizuar edhe ndaj Spezias, në fitoren e arritur 1-2 për kryeqytetasit në transfertë. Pra Strakoshës nuk po i jepet mundësia as në Serinë A, duke përjetuar “karantinën e dytë”, por këtë herë me izolimin në stol dhe e mundësuar nga “virusi” Reina. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *