Lacio kërkon të nisë një projekt të ri me Mauricio Sarrin, por për të blerë lojtarë të rinj fillimisht duhet të largosh nga ata aktualët. Igli Taren e pret një muaj i gjatë dhe i lodhshëm përpara, teksa duhet të sistemojë me ekipe të reja të paktën 10 futbollistë bardhekaltër. Shumë prej tyre janë emra që nuk bëjnë pjesë në planet e Lacios, ndërsa një pjesë janë të rinj që duhet të fitojnë eksperiencë tjetërkund.
Eskalante është lojtari që pavarësisht se erdhi me pritshmëri të larta, këtë muaj duhet të largohet. Tare ka arritur të gjejë marrëveshjen me Alavesin, ndërsa më pas radhën e ka Lukaku që mund të largohet drejt Vicenzas. Ndërkohë ndër të tjerë që duhet të largohen për të rregulluar indeksin e likuiditetit që i jep klubit mundësinë të federojë lojtarë të rinj janë: Denis Vavro, Andre Anderson, Jorge Silva, Falbo, Lombardi dhe shqiptari Durmishi.
Ndërkohë dy të tjerë që duhet ti thonë lamtumirë Lacios janë edhe Lazzari me Muriqin. Transferimi i tyre do të lehtësonte së tepërmi edhe financat e klubit, që do të lirohej më në fund nga paga e këtyre dy futbollistëve. Tare dhe Lotito synojnë që të shmangin huazimin për dyshen në fjalë, teksa shitja do të ishte alternativa më e mirë e mundshme, që mund të sillte edhe më tepër të ardhura në arkat e bardhekaltërve. Lazzari kërkohet nga Bolonja dhe Torino, ndërsa për Muriqin e vetmja ofertë konkrete është ajo nga Hull City. Megjithatë në ndryshim nga lojtarët e tjerë, Lazzari dhe sulmuesi shqiptar mund të përdoren nga Sarri edhe deri në fund të sezonit, për të shpresuar më pas në oferta më të mira në merkaton e verës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/