“Një i tillë del çdo 50 vjet”/ Trajneri i parë i Asllanit: Shënoi eurogol duke ulur tre rivalë që ndeshjen e parë, gati qava kur i shënoi Interit

Kristjan Asllani është lojtar i Interit dhe në ditët në vijim do të vijë edhe zyrtarizimi. Një hap mjaft i rëndësishëm ky për mesfushorin shqiptar, i cili është vetëm 21 vjeç. Emri i Asllanit ka ngjallur një kuriozitet të madh në media, ku së fundmi ka folur edhe trajneri i tij i parë. Cristiano Filippi ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, gjatë së cilës tregon përshtypjet e tij të para për talentin e Kombëtares kuqezi. Filippi tregon se Asllani spikati që në ndeshjen e parë, ku shënoi një eurogol pasi la pas tre kundërshtarë. Trajneri italian shton se sytë iu përlotën në momentin kur e pa ti shënonte gol Interit në Serinë A, duke ndjerë krenari që dikur ka qenë një prej lojtarëve që ka stërvitur.

“Më besuan kategorinë e të rinjve. Babain e Kristjanit e njihja, sepse çdo ditë kaloj nga shtëpia e tyre. I sugjerova që ta linte të luante me ne. Në javët e para e dinim se ai ishte i fortë, por debutimi i tij në ligë ishte i çmendur! Ai kishte fanellën me numrin 7, i rrinte shumë më e madhe shumë sepse ishte shumë më i shkurtër se të tjerët. Ai bëri një eurogol të vërtetë, duke ulur tre kundërshtarë. Empoli pak kohë më parë ka postuar videon edhe në kanalet e tij sociale. Natyra i ka dhënë këmbë, të cilat ai di t’i përdorë të dyja shumë mirë dhe vështirë se bën të njëjtin gabim dy herë, por ai është i zoti të përmirësohet vazhdimisht.

Do të ishte mirë ta shihnim atë me fanellën e Interit, edhe nëse nuk dimë asgjë në qytet. Familja e tij është shumë private. Kristjani e meriton të arrijë majat, sepse ka qenë gjithmonë me shumë seriozitet. Kur bashkëmoshatarët e tij, si fëmijë, takoheshin në shesh apo në lokale, ai flinte herët për të pushuar. Disa detaje janë thelbësore. Është një krenari e pabesueshme ta shohësh atë tashmë në Serinë A. Kur jeton në një qytet të vogël, një i tillë del çdo 50 vjet. Pata nderin ta stërvitja. Pas golit të tij kundër Interit, gati po qaja. Dhe të mendosh se është vetëm në fillim të karrierës së tij…”, ka thënë Cristiano Filippi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *