Enis Xhemaliu është një talent që luan në Kosovë me Dritën U-15. Ai është nje frymëzim për të gjithë shokët e skuadrës, pasi ka një formë te shkëlqyer edhe pse ka një problem fizik që e pengon shumë në fushën e lojës. Enisi ka lindur me gjysmën e krahut të majtë, pra i mungon dora e majtë dhe parakrahu.
Megjithatë kjo nuk e ka penguar 14 vjeçarin të vazhdojë ëndrrën dhe të arrijë synimin e tij, përfaqësimin me Kosovën në të ardhmen. Në një intervistë të realizuar nga televizioni në Kosovë “KTV”, Enisi mban një fjalim frymëzues edhe për të rinjtë e sotëm
“Sa më shumë duhet që të merresh me sport, se sporti është jeta. Me futboll, me basketboll, të ushtrohesh për t’u bërë më i madh. Kam bërë shumë që të mësoj futbollin, të bëhem trajner e të mësoj të rinjtë që të bëhen futbollista. Kam qejf që të hap një fondacion që të ndihmojë njerëzit që janë të sëmurë dhe të varfër”, ishin fjalët frymëzuese nga Enisi.
Sipas trajnerit të moshave, Latifit, Enisi duhet t’i nënshtrohet me patjetër një operacioni, pasi do ta ketë mjaft të vështirë për të kryer duele me personat më të rritur në të ardhmen. Ai i bën thirrje fondacioneve dhe shtetit për ta ndihmuar djaloshin të mos heqë dorë nga ëndrra e tij. /Sport Ekspres/