Futbollisti që luan në çdo repart pritet të ribashkohet me gjirokastritët, pasi te Flamurtari nuk ka gjetur hapësirën e nevojshme
Gëzim Beqiri
Afrimi i parë zyrtar te Luftëtarit pritet të jetë një emër i njohur, Lejdi Liçaj. Vlonjati u largua në verë me mirëkuptim dhe kaloi te skuadra e qytetit të tij, Flamurtari, por deri tani nuk ka gjetur hapësirat e nevojshme për të luajtur në formacion. Liçaj është gati të kthehet në Gjirokastër pas disa muajsh dhe do të ishte një përforcim me vlera, pasi bëhet fjalë për një lojtar që e njeh shumë mirë ambientin. Liçaj luan në të djathtë të mbrojtjes dhe të mesfushës, kështu që do ti bënte punë Luftëtarit. Në formacionin e ekipit gjirokastrit janë aktivizuar deri tani në të djathtë Toledo dhe Rapa, i pari tashmë i larguar, ndërsa i dyti luan në rolin e shkatërruesit dhe të mbrojtësit të qendrës. Luftëtari kishte nevojë për një mbrojtës të djathtë dhe e ka gjetur shpejt. Edhe për Liçajn është më mirë që të luajë rregullisht me një ekip dhe nuk pritet të ketë pengesa nga drejtuesit e Flamurtarit për kthimin te Luftëtari. Vlonjati ka shënuar një gol spektakolar në ndeshjen me Lushnjën, duke i dhënë fitoren Flamurtarit në kohën shtesë. Zyrtarizimi nga klubi jugor pritet të bëhet shumë shpejt. Liçaj dhe Shkurtaj mund të konsiderohen dy përforcimet e para të Luftëtarit, që tani duhet të luftojë fort për të mbajtur yjet në ekip.
STËRVITJA – Vetëm tri ditë stërvitje në këtë fund të vitit, për të kaluar më pas te pushimet. Nuk është vendosur data e rifillimit të stërvitjes, pasi tashmë është mësuar se java e 17-të e kampionatit do të zhvillohet më 26 janar dhe jo më 20 janar. Stërvitja do të vazhdojë edhe dy ditë, ndërkohë që në seancën e djeshme kishte shumë mungesa. Duket se këto tri ditë përgatitjesh do të zhvillohen formalisht. Në dilemë mbetet edhe vendi, ku do të zhvillohet faza përgatitore e dimrit. Nëse formatimi i skuadrës, ku parashikohen afrime dhe largime, do të kryhet shpejt, ka mundësi që edhe këtë vit Luftëtari të përgatitet në Turqi.
MUNGESAT – Kanë munguar lojtarë si Abazaj, Zguro, Beqiri, Rapa, Zeqaj e Rroca, të cilët kanë marrë leje nga drejtuesit e klubit.
Grupi i përbërë nga Ruçi, Qyrani, Aleski, Bregu, Lamçe, Brahimaj, Hoxha, Mahmutaj dhe Shkurtaj janë stërvitur në më pak se 90 minuta. Prezenca në stërvitje e Vasil Shkurtajt vërteton se ai do të jetë pjesë e Luftëtarit dhe mund të aktivizohet që në takimin e parë të 2018-ës, atë me Skënderbeun në Gjirokastër. Priten përforcime të tjera te Luftëtari, por do të ketë edhe largime. Abazaj, Rroca dhe Bregu janë më të përfolurit, por edhe më të nevojshmit në Gjirokastër. Mungesa në stërvitjen e djeshme e Abazajt nuk ka lidhje me largimin e tij dhe prezenca e Bregut tregon se ai do të mbetet pjesë e Luftëtarit, pasi ka kontratë me të deri në maj. Me përjashtim të një portieri nga kampionati shqiptar, kërkesë e detyruar pas largimit të Mirakës, plotësimet e tjera do të bëhen nga jashtë vendit, kryesisht nga kampionati grek, për arsye se menaxheri i këtij klubi ka qenë për shumë vite pranë disa klubeve të Greqisë dhe ka njohje aty.