Ajo që parashikohej përpara ndeshjes u konfirmua. Ajo ndaj Olimpiakosit duhej të ishte një ndeshje për t’u fituar dhe ashtu ndodhi për Milanin. Si zakonisht “Djalli” pësoi prej gabimeve individuale, por për fatin e tij, trajneri Gatuzo mund të mbështetet te një talent si Patrik Kutrone, autor i dy golave në minutat 70′ dhe 79′.
Edhe pse vetëm 20-vjeçar, Kutrone ka treguar se është një sulmues me nivel të rëndësishëm. Gjithmonë e më vendimtar, statistikat flasin të gjitha për lojtarin e ri. 3 gola të realizuar në këtë sezon në 85 minuta aktivizim mes kampionatit dhe Europa League. Gola që i kanë dhënë Milanit pikë të rëndësishme përballë Romës dhe në mbrëmjen e së enjtes ndaj Olimpiakosit, duke bërë që kuqezinjtë të marrin kreun e Grupit F.
“E kam patur gjithmonë këtë uri dhe kështu do të vazhdoj”, tha sulmuesi pas ndeshjes. Diferencën e bën pikërisht kjo pjesë, për një lojtar që e ka të qartë rrugën të cilën duhet të ndjekë për t’u bërë një kampion i nivelit botëror.
Aktivizimi i numrit 63 i ka dhënë peshë dhe efikasitet sulmit te Milanit. Me lëvizjet e tij, Kutrone i ka shkaktuar mjaft probleme mbrojtjes kundërshtare. Me Çalhanoglu pas Kutrones dhe Higuain, kuqezinjtë ishin më të rrezikshëm. Tashmë, pas suksesit me përmbysje, Milani ka një garanci më tepër. Me paraqitjet dhe golat e realizuar, Kutrone meriton padyshim më tepër hapësira.