Një finale në Fier, barazimin nuk e do askush

Trajneri kavajas i Apolonisë, Ndriçim Kashami e konsideron takimin me Turbinën të vështirë. Ky qëndrim vjen për faktin, se kundërshtari do të përforcojë pozitat e tij e t’i largohet sa më shumë rënies nga Kategoria. Turbina mban vendin e parafundit në grupin B, por tekniku thekson se kjo skuadër është vlerësuar maksimalisht pa nisur nga pozicioni në tabelë, apo takimi i fazës së parë. “As që e mendojmë se ekipi i Turbinës është i dobët dhe se fitoren do ta kemi të sigurtë. Përsa i takon ekipit tonë, mund t’u them se shumë prej lojtarëve kanë kaluar, apo janë duke e kaluar një gjendje gripale. Dhe ndonjë prej tyre do të sakrifikojë për të qenë prezent në fushën e lojës në ndeshjen e sotme. Pavarësisht kësaj, Apolonia është e detyruar të bëjë autokritikën e ndeshjes së javës së kaluar dhe do ta kërkojë fitoren me çdo kusht. Vetëm kështu do të hedhim një hap më shumë, drejt renditjes në grupin e pesë skuadra që luftojnë për më tej pa pasur frikën e rënies nga kategoria”, është shprehur Kashami. Edhe pse skuadra nuk ka qenë e plotë gjatë përgatitjeve të kësaj jave për sfidën e radhës ndaj Turbinës për shkak të gjendjes gripale, trajneri është optimist dhe ka besim te një paraqitje dinjitoze dhe arritja e fitores. Ndërkohë, Kashami jep dhe këshillat e fundit përpara zhvillimit të sfidës për lojtarët e tij. “Kërkohet përqendrim, zbatim me seriozitet e pa asnjë gabim i detyrave të ngarkuara secilit. Vlerësim maksimal deri në rënien e “bilbilit” përfundimtar të krejt ndeshjes dhe dhënien nga të gjithë të maksimumit në fushën e lojës. Unë kam besim te skuadra që drejtoj dhe lojtarët që kam në dispozicion, se do të futen sot në fushën e lojës vetëm për të marrë tri pikët, çka do të na qetësojë dhe do të na rrisë moralin dhe gjendjen psikologjike për një vazhdim të suksesshëm të kampionatit”, ka përfunduar trajneri Kashami.

Formacioni i mundshëm: Çako, Braka, Kuçi, Lamaj, Broshka, Andoni, Mehmeti, Hysenshahaj, Mihana, Dimo, Llambro. Trajner: Ndriçim Kashami.

Bardhi: Në Fier do synojmë tre pikët

Turbina i ka mbyllur përgatitjet dhe është gati për sfidën me Apoloninë në transfertë. Në një prononcim për gazetën “Sport Ekspres”, trajneri i “të verdhëve”, Sinan Bardhi është shprehur optimist për rezultatin. “Jemi stërvitur intensivisht gjatë gjithë javës dhe ekipi është në formë të mirë. Nuk kemi mungesa dhe jemi të plotë. Kjo gjë më gëzon shumë. Në Fier do të synojmë tre pikët dhe shpresojmë ta arrijmë këtë objektiv. Por dhe një barazim do të më kënaqte, pasi ata kanë një skuadër të fortë. Do japim maksimumin tonë dhe do tregojmë se jemi një ekip që meritojmë të qëndrojmë në këtë Kategori të Parë”, thotë tekniku i cërrikasve Bardhi.

Formacioni i mundshëm: Hasanbelli, Ferhati, Peqini, Gërxho, Pashaj, Taulla, Xhelili, Roshi, Sallaku, Bakiu, Çota. Trajner: Sinan Bardhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online