Crvena Zvezda e ka kaluar me sukses raundin e parë kualifikues të Champions League. Ashtu siç edhe pritej, kampionët e Serbisë kanë thyer me lejtësi Europën, skuadrën modeste nga Gjibraltari. Shifrat në fund të takimit shënonin 5-0 dhe janë kështu bardhekuqtë ata që presin Tiranën në raundin e dytë kualifikues. Por më parë bardheblutë duhet të kalojnë pengesën gjeorgjiane.
Trajneri Dejan Stankoviç është duke bërë një punë të mirë në krye të skuadrës nga Beogradi, që prej dy muajsh nuk njeh humbje. Pas përdundimit të ndeshjes tekniku serb është shprehur i kënaqur me rezultatin, megjithëse dëshironte të mbyllte gjithçka në 20 minutat e para të takimit.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me kundërshtarin e radhës mes Tiranës apo Tbilisit, Stankoviç nuk ka shprehur ndonje preferencë. “Le të shkojmë përpara, nuk na intereson nëse do të jetë Tirana apo Dinamo Tbilisi. E kemi ne në dorë”, ka thënë trajneri i Crvena Zvezdës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/