Nuk qe e shkruar që Osmanlispori të mbijetonte në Superligën turke. Klubi nga Ankaraja javën e shkuar kundër Beshiktashit pati në dorë fatin e vet, shkoi në avantazh që në fillim, por në fund u mund 3-2 në shtëpi dhe aty mori fund.
Sot skuadra e Sokol Cikalleshit luajti në Akisar, por ishte një ndeshje pa vlerë.
Cikalleshi ishte në fushë për 90 minuta, dha edhe asistin e golit të vetëm në humbjen 2-1, me golin vendimtar që erdhi në shtesë, pas zëvendësimit të sulmuesit kuqezi.
Mbyllet trishtueshëm një sezon premtues për Osmanlisporin, që gaboi shumë gjëra këtë sezon dhe ndërroi dy trajnerë, pa sukses.
Cikalleshi shënoi 6 gola në kampionat dhe dha disa asiste, por nuk mjaftoi.
Tashmë e ardhmja e sulmuesit kuqezi është e turbullt sepse dihet që buxheti pas rënies në Ligën 2 zvogëlohet ndjeshëm për shumicën e klubeve turke. Edhe vetë Cikalleshi do të shohë me kujdes para se të vendosë, sepse është një sulmues që e duan shumë klube në Superligë, duke nisur nga Akisari, por çmimi i vendosur nga Osmanlispori mund të frenojë të gjithë.