Edi Spahiu
Tomori zbret në fushë, duke nisur në këtë mënyrë edhe përgatitjet zyrtare për sezonin e ardhshëm futbollistik 2018-2019 që realisht është duke u pritur me një interesim të madh nga ana e sportdashësve beratas, të cilët pas gjashtë sezoneve do të kërkojnë rikthimin sërish në Superiore.
“SportEkspres” gjatë dy ditëve të para të kësaj jave ka ndjekur stërvitjen, që janë zhvilluar në ambientet e stadiumit “Tomori”, në fushë me bar sintetik, e cila sigurisht që bëhet problem gjatë ditës, për shkak të nxehtësisë që tapeti me bar sintetik përthith gjatë gjithë ditës.
Sipas asaj që konstatohet qartë nga pranë fushës, duket se për futbollistët pavarësisht nxehtësisë që vjen nga fusha, ata duket se janë të ambientuar. Kjo për faktin se përpara se skuadra të niste zyrtarisht përgatitjet ditën e hënë pasdite, pjesa dërmuese e futbollistëve që vijnë nga skuadra e të rinjve kishin një kohë relativisht të gjatë që po stërviteshin me skuadrën U 19 nën drejtimin e trajnerit të tyre Iken Droboniku, me të cilin 19-vjeçarët beratas u shpallën edhe kampion të vendit në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, stafi teknik ka marrë të gjitha masat për të ardhmen, duke e spostuar stërvitjen në orën 18:30, deri për periudhën që skuadra do të stërvitet në Berat, dhe kjo është bërë me qëllim për t’u ardhur në ndihmë futbollistëve, që siç e kemi evidentuar më lart është me një përbërje krejt të re, ku dominojnë futbollistët 18-19-vjeçarë, në pritje të përforcimeve.
ERVIS ÇAÇO – “E rëndësishme është që ne kemi nisur zyrtarisht nga puna, dhe besoj se pas disa ditëve jo vetëm që do të rikthehen edhe titullarët vendas nga sezoni i kaluar, por stafi teknik do të plotësoj skuadrën me elementin e nevojshëm nga periudha e kësaj faze të merkatos që është e hapur për një periudhë të gjatë. Personalisht ndihem shumë mirë në krye të skuadrës me këta futbollistë të rinj, dhe paralelisht me stafin po punojmë që t’i ingranojmë të gjithë të rinjtë në punë, pasi pas hapit të parë të ambientimit do të vijë edhe ngarkesa e plotë në fazën përgatitore, ku secili nga kampionët e të rinjve duhet të tregoj vlerat dhe se e meriton të jetë pjesë e Tomorit”, ka deklaruar futbollisti me më shumë eksperiencë në skuadrën beratase Ervis Çaço, i cili në sezonin e ri do të jetë edhe kapiteni i skuadrës së Tomorit.