Nis procesi, Skënderbeu sërish para UEFA-s

Skënderbeu ka nisur betejën e re me UEFA-n, që kërkon ta dënojë për të paktën 10 vite më mospjesëmarrje në kupat e Europës dhe me gjobë 1 milion euro. Sot është zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA, ku përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut kanë argumentuar pse klubi korçar nuk duhet dënuar.

Tashmë procesi ka nisur dhe brenda pak javësh pritet vendimi final, por Skënderbeu ka paralajmëruar se do të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

NJOFTIM ZYRTAR

Sot, më datë 21.03.2018, është zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s, lidhur me procedimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit Skënderbeu. Në këtë seancë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit tanë ligjorë, të cilët kanë argumentuar mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s.

Duke marrë në konsideratë natyrën e konfliktit, specifikën që paraqet gjykimi disiplinor në organet juridike të UEFA-s dhe veçanërisht, egzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organit të akuzës dhe të gjykimit, Klubi i Futbollit Skënderbeu ka bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Sqarojmë sportdashësit dhe opinionin publik se proçesi gjyqësor për çështjen në fjalë është në fazën fillestare të tij dhe se Klubi i Futbollit Skënderbeu është i gatshëm të mbrojë investimet dhe punën disa-vjeçare në të gjitha shkallët e gjykimit, qofshin ato sportive apo civile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *