Është zhvilluar sot në Shtëpinë e Futbollit ceremonia hapëse e kampionatit të shkollave 9-vjeçare për vajza, një aktivitet që nis kështu edicionin e pestë dhe përveç Tiranës zhvillohet edhe qytetet e Durrësit, Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Fierit.
Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ndërkohë që tribunat e fushës në Shtëpinë e Futbollit ishte e mbushur me vajza dhe djem nga shkollat pjesëmarrëse në këtë kampionat.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrinë së Arsimit dhe Sportit, ndërkohë që theksoi se futbolli i vajzave është rritur ndjeshëm në vitet e fundit falë është mbështetjes së pakursyer të Federatës. Njëkohësisht z. Shulku theksoi edhe rëndësinë që ka ky turne në zbulimin e talenteve të reja, të cilat mund të vijojnë karrierën në klubet e futbollit.
“Jam shumë i lumtur sot që marrim pjesë te ky kampionat i shkollave 9-vjeçare të vajzave. Do falënderoja pa diskutim Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjithë këto vitet e fundit. Ju e dini shumë mirë që futbolli i vajzave në Shqipëri këto vitet e fundit është zhvilluar. Kemi ekipe kombëtare nga U15-ta, U17-ta, U19-ta dhe ekipi A. Unë do t’u thoja të gjithë klubeve të futbollit, akademive të futbollit, t’i hedhin sytë nga kampionatet e shkollave 9-vjeçare, për vajza dhe për djem, sepse jam i bindur që do të gjejnë elementë, talente që do të jenë nesër e ardhmja e futbollit shqiptar. Udhë të mbarë kampionatit”, – tha Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.
Ndërsa, Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, u shpreh se futbolli i vajzave po zgjon çdo ditë e më shumë interes dhe i ftoi të gjithë nxënësit e shkollave që të angazhon sa më shumë me futboll.
“Realisht shikoj një pjesëmarrje shumë të madhe. Falënderojmë edhe nxënësit e shkollave që kanë ardhur për të parë ekipet e tyre. Unë doja të falënderoja bashkëpunimin e mirë që ka ministria me Federatën e Futbollit, por gjithashtu edhe me UEFA-n, përmes së cilës kemi këtë projekt. Është viti i pestë që po zhvillohet, por për shkak të pandemisë me një ndërprerje ne po e fillojmë me katër ekipet, për të arritur deri në finale. Po shikojmë që sporti po merr një vëmendje jo vetëm te çunat, por edhe te vajzat tashmë. Realisht vlen për t’u përgëzuar mundi, djersa, sakrifica që trajnerët bëjnë me këta fëmijë për t’i edukuar drejt sportit, disiplinës sportive, sidomos sportit të bukur të futbollit. U urojmë sot suksese, të fitojë ekipi më i mirë”, – tha Zv.Ministri Hoxha.
Pas ceremonisë hapëse u luajtën edhe dy ndeshjet e para të kampionatit në Tiranë e më konkretisht u ndeshën shkollat “28 Nëntori” kundër asaj “Kristaq Rama” dhe shkolla “Musine Kokalari” me shkollën “Bedri Llagami”.
Në Tiranë janë regjistruar në këtë kampionat skuadrat e 20 shkollave, ndërsa në rang kombëtar janë aktualisht 57 shkolla pjesëmarrëse.