Pukjanët zgjidhin problemin e portës, ndërkohë që kërkojnë mesfushorin e Vllaznisë dhe mbrojtësin Balaj
Gani Pema
Tërbuni po kërkon të afrojë futbollistë të formuar te Vllaznia dhe që kanë luajtur në Superiore. Objektiv i pukjanëve është mesfushorin Arsen Hajdari dhe mbrojtësi Izmir Balaj, i larguar këtë verë nga Apolonia. Së fundmi në stërvitje janë shfaqur dy shkodranë të tjerë, mesfushori Valdano Nimani, që vjet ishte pjesë e Kamzës, ndërsa më parë në Superiore ka luajtur me Laçin dhe Vllazninë.
Nën urdhrat e stafit teknik është vënë edhe portieri Rexhepi që vjen nga Besëlidhja. Sot pukjanët do të luajnë me Kamzën, ndeshje që do t’i vlejë trajnerit Krepi për të parë lojtarët e ardhur në provë, mes tyre edhe dy brazilianë. Më pas do të tentohet të bëhen edhe dy ndeshje të tjera miqësore, me Vllazninë dhe Tiranën.
“Në skuadër nuk dua gjeneralë, por ushtarë që të japin maksimumin për fitore dhe të luajnë si asnjëherë për fanellën e Tërbunit. Miqësorja ka një rëndësi shumë të madhe, pasi jemi futur në javën e tretë të stërvitjes dhe po afrohemi drejt nisjes së kampionatit, ku të gjithë duhet të tregojnë vlerat e tyre tani që kanë një mundësi”, shprehet trajneri Krepi.