Nimaga: Viti i duhur për “bis”, Flamurtari e provoi forcën tonë

0

Për malienin e Skënderbeut, ky është viti i duhur që skuadra e tij të triumfojë në Kupë e kampionat dhe u kujton të gjithë se janë ekipi që diktojnë në Shqipëri

Bakari Nimaga, mesfushori nga Mali i Skënderbeut, shprehet i bindur se këtë vit janë të aftë t’i fitojnë të dy trofetë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, gjë që në fakt korçarët nuk e kanë bërë asnjëherë më parë në histori. Nimaga, duke vijuar më tej, thotë edhe tjetrën, që Skënderbeu është forca më e madhe e futbollit shqiptar dhe këtë verë e presin objektiva madhorë, për të shkuar deri në grupet e Ligës së Kampioneve.

-Nimaga, pushimet duket se kanë ardhur në një moment të përshtatshëm, apo…

-Pushimet gjithmonë janë të mira, aq më tepër që erdhën në një moment të mirë për ne. Kjo, për vetë faktin se kishim luajtur shumë ndeshje dhe kishim nevojë për pak pushim. Mendoj që deri të dielën e ardhshme kemi kohë edhe të ç’lodhemi edhe të përgatisim ashtu siç duhet ndeshjen e radhës.

-Luani në Shkodër në ndeshjen e ardhshme. Si e shikoni këtë takim?

-Njëlloj si ndeshjet e tjera që kemi luajtur deri më tani. Ne jemi më të qetë se kurrë, kjo edhe për faktin se jemi shumë të shkëputur nga ndjekësit tanë dhe gjithë presioni do të jetë mbi Vllazninë. Kjo do të bëjë që ne të jemi të lirshëm në fushë dhe do të shkojmë padiskutim për të marrë më të mirën edhe në këtë transfertë.

-Kjo do të thotë se shkoni për tre pikët në Shkodër…

-Absolutisht që po. Ne tre pikët i kemi kërkuar që në javën e parë dhe deri në javën e fundit. Atë do të kërkojmë edhe në “Loro Boriçi”. Nuk është ndonjë gjë e re që e them vetëm unë, sepse kështu kemi luajtur dhe kështu do të luajmë deri në javën e fundit.

-Por Vllaznisë i duhet patjetër fitorja për të shpëtuar nga rënia… Nuk na interesojnë objektivat e skuadrave të tjera, ne shikojmë vetëm punën tonë. Të gjitha ekipeve u janë dashur fitoret, por ne kemi treguar se jemi skuadra më e mirë dhe se nuk falim asnjë ekip. Do të luajmë ashtu siç i ka hije Skënderbeut deri në javën e fundit.

-Jeni i bindur që titulli kampion thuajse është mbyllur?

-Pse, cili ekip, apo kush mund të thotë të kundërtën? Ne jemi 15 pikë përpara kur kanë mbetur edhe vetëm 10-të javë deri në fund. Sido që të rrjedhin ngjarjet, ne do të shpallemi kampionë dhe vetëm matematika nuk na lejon që ta quajmë veten që tani.

-Kampionati këtë viti më i fortë, apo…

-Në të gjitha vitet kampionati ka qenë i fortë. I tillë ka qenë edhe këtë vit, por e kemi bërë ne të lehtë me ato rezultate që kemi marrë në fushën e lojës. Kemi kryesuar që javën e parë, ndërkohë që edhe skuadrat e tjera e kanë parë që nuk mund të rivalizonin me ne, prandaj kanë menduar dhe kanë pasur objektiv vetëm kush do ta mbyllë i dyti, sepse vendi i parë ka marrë fund që në start.

-Në gjysmëfinalen e Kupës gjeni Flamurtarin, një duel i fortë ky. Si e shikoni?

-Në fakt, nga të gjitha skuadrat që ishin në gjysmëfinale, të gjitha ishin të forta dhe ne na duhet që të eliminojmë Flamurtarin. Këtë sezon na duhen të dy trofetë dhe jam i bindur që do të bëjmë “bis”. Është viti i duhur për ta bërë një gjë të tillë dhe do ta bëjmë, kjo për të treguar se jemi mbi të tjerët.

-Kaq i bindur jeni që Skënderbeu e eliminon Flamurtarin?

-Edhe vlonjatët e kanë provuar këtë sezon forcën tonë. Madje në tre fazat e para që kemi luajtur nuk kanë arritur të na mposhtin asnjëherë. Sigurisht që Kupa ka një të veçantë tjetër, pasi janë vetëm 180 minuta, por ne do të kërkojmë që në ndeshjen e parë të arrijmë një fitore të pastër pa pësuar gol, në mënyrë që në takimin e kthimit të jemi më të qetë. Por, kemi kohë të flasim për këtë ndeshje, pasi përpara kemi ndeshjen e kampionatit dhe pastaj do të mendojmë menjëherë për Kupën.

-Po për vendimin që pritet të marrë UEFA, keni ndonjë koment?

-Nuk na takon ne futbollistëve që të flasim për këtë çështje. Ne na takon të flasim vetëm në fushën e lojës, pasi me ato punë po merren drejtuesit e klubit dhe nga ajo që dimë, Skënderbeu nuk meriton të marrë asnjë dënim, pasi me meritë kemi shkuar deri në grupet e Europa League.

-Kjo do të thotë që në verë do të luani në Ligën e Kampioneve?

-Sigurisht që po. Të mbyllim njëherë kampionatin dhe të fitojmë edhe trofeun e Kupës. Kemi kohë deri në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Por këtë verë kemi objektiva edhe më madhorë, për të shkuar pse jo deri në grupet e Ligës së Kampioneve. Ky Skënderbe e ka treguar forcën e vet, por do të jetë edhe më i fortë në të ardhmen.

-Së fundi, si e ndjeni veten me këtë Skënderbe?

Shumë mirë. Kam arritur gjithçka me këtë fanellë, por që do të jap edhe më shumë në të ardhmen. Skënderbeu është forca më e madhe e futbollit shqiptar dhe e kemi treguar në fushë me vepra dhe jo me fjalë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.