“Titullarët janë të paprekshëm, por synojmë edhe afrime për të rritur konkurrencën”
Bujar Balliu
Kastrioti nis punën për fazën e dytë dhe është trajneri Samuel Nikaj, ai i cili jep një deklaratë për mediat, duke analizuar shkurtimisht Vitin që lamë pas, por edhe duke folur për synimet që ka skuadra, duke nisur që nga merkato apo dhe pjesën e dytë të garës, ku nuk duhet që të diskutohet Superiorja. “Në përgjithësi kemi kaluar një pjesë të parë të sezonit pozitive, ku kemi tejkaluar pritshmëritë, sidomos në 6-të javët e para ku kemi pasur probleme në lojë, pasi skuadra nuk kishte ritmin e duhur. Duhet theksuar se në 6-të ndeshjet e tjera kemi marrë pikë dhe kemi prodhuar lojë me intensitet të lartë. Megjithatë, e rëndësishme është që grupi që kemi ndërtuar bashkë me presidencën, jep shpresë dhe ka shumë kualitet që me punë garanton edhe për sukses”, – ka thënë fillimisht trajneri krutan.
SYNIMET – “Objektivi ynë është vetëm një, ngjitja ne elitë. Do bëjmë çmos që ta arrijmë. Një synim tjetër do jetë dhe krijimi i bazave të shëndosha për vazhdimësinë në Superiore, sepse objektivi i presidentit është që Kastrioti mos të jetë në ekskursion mes më të mirëve të futbollit shqiptar”.
MERKATO – “Me rotacionet e vazhdueshme jam munduar të rris konkurrencën për një vend titullari konkurrenca të rrit dhe në këtë merkato do ndërhyjmë që të rrisim konkurrencën në të gjitha repartet pa përjashtim. Rumunët kanë karrierë mbresëlënëse, ashtu si Hysa, ndërsa në tregun kosovar ato lojtarë që unë kërkoj janë të vështirë për t’u marrë, pasi janë të rinj premtues, dhe kanë interesim nga ekipe evropiane. Imagjinoni, Adenis Shala për momentin është në provë tek Fenerbahçe. Ne kemi një plan B, por më e keqja dhe një plan C, sepse me çdo kusht do ofrohen 3 deri në 5 lojtarë, në mënyrë të atillë që të mos e diskutojmë objektivin Superiore”.
LARGIME – ”Lojtarët kryesorë nuk largohen me asnjë lloj çmimi, sepse për 2 ose 3 titullarë ka pasur edhe kërkesa nga klube të elitës që ishin të gatshëm të paguanin deri në 30 mijë euro dëmshpërblim dhe presidenti i ka refuzuar në mënyrë kategorike. Ndërsa, për lojtarët që s’kanë gjetur hapësira janë të lirë të largohen. E rëndësishme është që ato 15 lojtarë që janë aktivizuar më së shumti nuk do largohen”.