Mbrëmja e djeshme ishte e gjitha për Tiranën, teksa kryeqyteti u vesh i gjithi bardheblu. Skuadra e Egbosë ngriti në “Air Albania“ trofeun e kampionit të Kategorisë Superiore duke kurorëzuar kështu atë kampionat fantastik të bërë këtë vit. Pas festës për mikrofonin e “Fax News“ ka folur trajneri i Tiranës, i cili ka shprehur lumturinë për këtë titull të fituar.
Emanuel Egbo tregon se ekipi bardheblu është klubi i tij i zemrës dhe tregon mirënjohjen e tij për shqiptarët, të cilët e kanë mbështetur në karrierën e tij. Por i pyetur nëse do e pranonte një ofertë nga rivalët e Partizanit, trajneri Nigerian e lë derën e hapur, teksa është i mendimit “kurrë mos thuaj kurrë“.
“Duke pasur parasysh si ka qenë situata kur kam marrë ekipin dhe tani kemi marrë kampionatin, fjalët nuk e përshkruajnë dot. Është një ndjesi që nuk mund ta shpreh dot me fjalë. Unë do e shijoj këtë moment me stafin dhe pres të fitoj edhe Kupën e Shqipërisë. Pastaj do të jetë një festë e madhe.
Rinovim kontrate dhe ofertë nga Nigeria? Do e mendoj në momentin që do vijë diçka e tillë. Unë kam kaluar gjithë jetën time këtu, është si shtëpia ime e dytë. Ky klub është klubi i zemrës time. Herën e parë që kam ardhur në Shqipëri me këtë klub kam luajtur dhe kam kaluar shumë momente të mira. duke filluar nga tifozët e ekipit dhe të gjithë shqiptarët më kanë mbështetur që në fillimet e mia pasi unë kam treguar vlerat e mia si sportist dhe si njeri. Prandaj ky vend më ka dhënë shumë gjëra në jetën time. U jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë qenë pozitiv, por falenderoj edhe ata që nuk kanë qenë pozitiv, pasi më kanë ndihmuar edhe ata.
Një ofertë nga Partizani? Unë do vendoja kur të vinte momenti. Sepse në fund të fundit jemi profesionist. Ka lojtarë që kanë qenë te Partizani, tani luajnë te Tirana. Ka edhe lojtarë që kanë qenë te Tirana dhe kanë luajtur edhe për Partizanin. Kështu që nuk jam si tifoz. Në anglisht thonë kurrë mos thuaj kurrë. Nuk e di ku të drejton Zoti. Unë nuk i bëj gjërat me mendimin tim, ku të më drejtojë Zoti atje shkoj unë”, ka thënë Emanuel Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/