Nëse mendoni se tifozët thjesht jetojnë për emocionet e lojës dhe dashuria për klubin dhe ngjyrat e tij mbetet vetëm brenda atij 90 minutëshi e jashtë aspektit sportive nuk mbetet më asgjë, atëherë e keni gabim. Një tifoz i denjë quhesh kur e dashuron jo vetëm klubin e zemrës por edhe qytetin e tij. I tillë është edhe rasti i sotëm i dhënë nga protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Shembja e tij mori me vete edhe një pjesë të historisë dhe kulturës së kryeqytetit dhe Shqipërisë dhe çdo godinë tjetër e ngitur sërish aty nuk do të mund ta zëvendësojë sërish atë që përfaqësonte Teatri Kombëtar.
Për këtë arsye kauzës i është bashkuar edhe një tifoz i Tiranës, i cili me fanëllën bardheblu dhe me simbolet e 24 herë kampionëve të Shqipërisë bën detyrën e tij si qytetar dhe nuk lejon të shkelet historia dhe identiteti i vendit të tij. Ndoshta kjo është edhe mënyra më e mirë për të treguar dashurinë për ngjyrat e atij ekipi që këtë vit feston edhe 100 vjetorin e krijimit dhe që nuk përfaqëson vetëm një klub, por vetë qytetin e Tiranës. Një qytetari e pastër kjo, ndërsa u bën thirrje që përkrahë tij të vijnë edhe tifozët e tjerë nga e gjithë Shqipëria, madje përfshirë këtu edhe ata të rivalëve të Partizanit, pasi në fund të fundit qytetin e ndajnë së bashku.
“Pse protestë me fanellën e Tiranës? Po sepse sot është arsyeja kryesore për të protestuar, është arsyeja e Tiranës. Ne e duam Tiranën, i duam monumentet e kulturës së saj dhe do i mbrojmë deri në fund, sa të kem frymën e fundit. Jam tifoz i Tiranës, që këtë vit është kampion. Kemi edhe 100 vjetorin e Tiranës si ekip, kështu që ne do mbrojmë Tiranën. Nuk na ka mbetur rrugë tjetër.
A do i ftoja edhe tifozët e tjerë të Tiranës dhe Partizanit? Pa diskitim që do i ftoja. Jo vetëm tifozët e Tiranës dhe Partizanit, po të gjithë tifozët e Shqipërisë kudo ku janë. Të na bashkohen për të mbrojtur vendin tonë, Tiranën tonë nga barbarët që kanë zaptuar territorin shqiptar. Sa e rëndësishme është të protestojmë me simbolet e qytetit e dinë të gjithë. Është shumë e rëndësishme se bëhet fjalë për qindra vite histori të qytetit, të teatrit, dhe nuk mund t’i prishë e të bëjë të njëjtën gjë si ka bërë diktatori Enver Hoxha, i cili prishte kisha e xhami. Do e mbrojmë deri në fund tokën tonë. U bëj thirrje të gjithëve të vijnë këtu, të protestojnë me ne”, është shprehur tifozi bardheblu për “Sport Ekspres”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/