Mesfushori i Skënderbeut, Afrim Taku, mbetet një ndër shqetësimet më të mëdha të Skënderbeut, që ka humbur një lojtar shumë të rëndësishëm që në muajin dhjetor dhe duket se do të duhet të presë ende ta ketë në dispozicion.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim, por ish-mesfushori i Tiranës vazhdon të jetë “peng” i dokumenteve në Amerikë, ku ndodhet prej fundvitit të shkuar. Vonesa e tij e shqetëson jo pak trajnerin Ilir Daja, duke ditur gjendjen aktuale të ekipit dhe faktin që Taku është një lojtar i aftë të luajë në disa role, përveçse ka një nuhatje të mirë goli para portës kundërshtare.
Në ndeshjen me Luftëtarin ai mund të ishte në formacion, por nuk është kthyer ende nga Amerika dhe tashmë mësohet që kthimi i tij është shtyrë për në shkurt. Më në fund procedurat e dokumenteve në Amerikë janë vënë në vijë dhe mesfushori ka lajmëruar drejtuesit e Skënderbeut se më 10 shkurt do të jetë në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Taku humbet ndeshjen e kupës në Durrës, të mërkurën, si dhe sfidat në kampionat kundër Vllaznisë e Flamurtarit, ndërsa kthimi kundër Teutës në kupë mbetet në pikëpyetje, sepse nuk dihet forma fizike e Takut, që për dy muaj do të jetë pa stërvitur me pjesën tjetër të ekipit.