Nga Xhevdet Zekaj
Nuk është rasti i parë ky i Armand Dukës, i zgjedhur si zv.president i UEFA-s, kur shqiptarët provohen si të suksesshëm në kontinentin tonë e më gjerë. Jo vetëm në fushën e sportit, por në art, kulturë, mjekësi, politikë etj. Shqiptarët, edhe pse janë revolucionarë, vizionarë të vërtetë në profesionin dhe punën e tyre, sulmohen dhe anatemohen jo vetëm nga trimat e portaleve e gjithollogët e Facebook-ut, por edhe nga vetë shteti. Nuk është ndonjë risi e madhe po të themi se në Shqipëri, po të jesh i zoti dhe i aftë të përçmojnë, sepse kanë frikë se iu zë vendin. Pozicionin e duan për militantin, patronazhistin, të korruptuarit, servilët e shefit, drejtorit, pushtetit.
Jetojmë në një Shqipëri, e cila çudtërisht vazhdon në tranzicion mbi tri dekada, vidhet si asnjë shtet tjetër ndoshta edhe të Afrikës. Përtej gjërave të mira, që edhe janë bërë nga ekzekutivi, jetojmë në Shqipëri, ku ndoshta suksesi më i madh për imazhin e vendit tonë, në çdo drejtim, sikurse është shpallja e Armand Dukës zv.president i UEFA-s, shihet me smirë nga ata që mezi presin të marrin lavditë e pamerituara prej sportit dhe futbollit. Rasti Duka është sinjifikativ, i veçantë, por i mjaftueshëm për t’u mburrur si shqiptarë.
Tashmë kemi përfaqësuesin tonë në majat e UEFA-s, një institucioni model për çdo aspekt, edhe financiar, jo vetëm sportiv. Jo rastësisht Duka zgjidhet zv.president i këtij institucioni kaq prestigjioz. Njohuritë dhe vizioni i tij si menaxher, të dëshmuara botërisht në krye të FSHF-së, por edhe biznesit të vet privat, e kanë bërë Dukën pikë referimi në qeverinë europiane të futbollit. Sepse të mirët duan t’i rrëmbejnë të gjithë për vete, jo si në Shqipëri, ku bën hajër militanti i thekur, patronazhisti, njeriu pa “shtyllë kurrizore” profesionale.
Puna e Dukës në krye të FSHF-së është vërtet revolucionare, duke e kthyer atë nga një mejhane ngjitur me shurrtoret e ish-stadiumit “Qemal Stafa” në “Shtëpinë e Futollit”, që e kanë zili të gjithë, brenda e jashtë vendit. Pa folur këtu për arritjet sportive të skuadrave tona në Kupat e Europës, të kombëtares kuqezi në “Francë 2016” dhe sipas të gjitha gjasave edhe finaliste e “Euro 2024”. Pra, suksesi i Dukës është i gjithanshëm, me vepra dhe jo fjalë, as lobime, sikurse përpiqet ta eklipsojë ndokush. FSHF-ja është institucion modern europian, që gjeneron ide, udhëheq lëvizjen e madhe futbollistike në vend, e cila shtohet çdo vit nga qindra fëmijë, të cilët zgjedhin sportin magjik para drogës e veseve të tjera të rrugës. Pra, edhe në aspektin social, futbolli në vendin tonë është pararojë.
Futbolli i të gjitha kategorive, përfshirë edhe atë të femrave tashmë, luhet në fusha e stadiume shumë herë më të mira se të vendeve përreth. Një tjetër dimension i revolucionit të udhëhequr nga presidenti Duka, tashmë edhe numri dy i futbollit europian. Të gjitha këto na shtyjnë të ngremë pyetjen: Kur do të kemi suksese dhe nivele të tilla profesionale në administratën publike, në arsim, shëndetësi, kulturë etj? Kur do ta kenë mundësinë shqiptarët e aftë të japin klontributin e tyre për vendin, jo të vegjetojnë nëpër zyrat shtetërore militantët e partisë, patronazhistët? Rasti Duka është modeli i suksesit në Republikën e Shqipërisë, duan apo nuk duan të tjerët. Të gjithë synojmë të shkojmë në Europë, por ka shumë individë të tjerë si Duka, që Europën e kanë sjellë këtu me vepra e jo propagandë dhe demagogji.
Mos t’ju duket çudi kur themi se Duka e ka sjellë Europën këtu. Po, po. mjafton të shikoni sektorin e edukimit në FSHF, të drejtuar nga Sulejman Starova dhe Alban Tafaj, ku japin leksione emra të njohur të UEFA-s dhe futbollit italian. I fundit që sjell përvojën europiane në futbollin tonë është Piero Ausilio, menaxheri i njohur i Interit. Ata vijnë këtu sepse kanë besim tek FSHF-ja, te kreu i saj Duka, japin kontribut europian për europianizimin e këtij sporti në vendin tonë me fakte, jo propagandë.
Kryesorja që vlen nga ky shembull i Dukës është mbështetja për të aftët, jo servilët e pushtetit. Imagjinoni sikur në krye të FSHF-së të ishte zgjedhur ndonjëri nga ata “Don Kishotët” anonimë, llafazanë, që dinë vetëm t’i bëjnë fresk pushtetit (lokal dhe qendror), e bëjnë urë kurrizin për shaluesin më të parë…