Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj
Se sa pro serb është Armand Duka e tregoi me gjyqin e CAS-it dhe fitimin e ndeshjes së ndërprerë në Beograd në tavolinë. Një sukses institucional e ligjor historik që na dërgoi në “Euro 2016”. Se sa pro serb është Duka e ka treguar me bizneset e tij, të gjitha në Shqipëri, pa asnjë lidhje me Beogradin. Se sa pro serb është Duka dhe FSHF-ja që drejton ai e ka treguar të shkuarit në Europianin e Francës, ndërsa Serbia nuk ia ka arritur dot të shkojë askund. Se sa pro serb është Duka shikoni investimin që ka bërë në futbollin shqiptar, që nga moshat. Shikoni kthimin e kombëtareve kuqezi në mbarëkombëtare, duke i dhënë mundësinë cdo talenti me gjak shqiptar, pavarësisht se ku jeton, brenda apo jashtë kufijve zyrtarë.
Shikoni si funksionojnë tashmë ekipet tona kombëtare, edhe të femrave, që kalojnë ture dhe fitojnë shuma të konsiderueshme nga kompeticionet e UEFA-s. Se sa pro serb është Duka shikoni pozicionin e tij që ka në UEFA, shikoni drejtorin e ‘hat-trick’-ut të UEFA-s, një shqiptar i përgatitur; shihni Enea Jorgjin gjyqtar në grupet e Ligës së Kombeve etj. etj. Se sa pro serb është Duka hidhni sytë nga infrastruktura, ku Serbia nuk i ka tri stadiume që plotësojnë kriteret e UEFA-s, të nivelit që kemi ne me “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena” dhe “Loro Borici”. Kur të shohin këto gjëra, portalet le të thonë se Duka qenka nostalgjik i Jugosllavisë. Portali “Rruga Press” të mos mashtrohet nga motorët e kërkimit në “google”.
Ish-Jugosllavia ka vdekur me kohë për Dukën. Kush kërkon gjilpërën në kashtë, le ta gjejë te Ballkani i Hapur, te Vetëvendosja, te partitë politike. Futbollin mos e përzieni me Serbinë. Sa ia ka treguar Duka dhe FSHF vendin Serbisë nuk e ka bërë as Enver Hoxha, as Berisha me thyerjen e embargos së naftës, as Albin Kurti që bënte gjithë ato aksione kundër Serbisë sa ishte opozitë, por tani nuk e hap gojën, as Rama me Ballkanin e Hapur. Portali juaj mund të shkruajë cfarë të dojë, por burimi i lajmit është tërësisht i pasigurt, problematik dhe në rrugën e asaj fletushkës që gjen skandale cdo ditë. Vetëm një i paditur mund të mos dijë se si shiten biletat e ndeshjeve të futbollit në Shqipëri, vetëm një injorant mund të mos e dijë se nuk ka serb që hyn në faqen e FSHF-së për të blerë bileta e parë ndeshje në Shqipëri.
Vetëm një dashakeqas nuk e di se kompania e biletave online nuk është pjesë e FSHF-së, nuk është nën juridiksionin e federatës e Dukës, por një biznes i lirë i regjistruar në organet përkatëse dhe kryen veprimtarinë ekonomike në bazë të kontratës që ka me FSHF-në për shitjen e biletave. Kjo e fundit nuk mund të bëhet përgjegjëse që faqja e një kompanie private mund të përdorë qoftë edhe gabimisht emërtimin Jugosllavia te vendet prej nga personi regjistrohet si blerës i biletës.