Nga trajneri më i mirë te “Topi i Artë”, mësoni të gjithë fituesit e “Më të mirët e vitit 2023”

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar sot mbrëmjen gala për të nderuar më të mirët e futbollit shqiptar. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm emra të njohur të futbollit tonë, si dhe ish-trajnerë të ekipit tonë kombëtar. Gjithashtu, edhe kreu i FIFA-s, Xhani Infantino, dhe kreu i UEFA-s, Aleksandër Ceferini, kanë dërguar përshëndetjet e tyre përmes një video-mesazhi.

FSHF-ja ka shpërndarë çmimet për kategoritë përkatëse si në sektorin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave. “Këpuca e Artë” për vajza i ka shkuar Valentina Trokës, ndërsa për meshkuj fitues është shpallur Florent Hasani. Orges Shehi ka fituar çmimin si trajneri i vitit 2023, ndërsa Enea Jorgji është përzgjedhur si arbitri më i mirë i Superiores në këtë vit kalendarik. Megi Doçi ka marrë në duart e saj “Topin e Artë” për kategorinë e vajzave, ndërsa në kategorinë e djemve ishte Arinaldo Rrapaj ai që u vlerësua me trofeun “Topi i Artë”. Gjithashtu sot është përgjedhur edhe formacioni më i mirë i vitit 2023 në “Abissnet Superiore”, ku dominojnë lojtarët e Egnatias. Në fund, ceremonia është mbyllur me një çmim për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë janë vlerësuar nga FSHF-ja me titullin më të lartë, “Nderi i Kombit”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Lista e plotë e çmimeve për më të mirët e vitit 2023:

“Këpuca e Artë” për femra për vitin 2023, Valentina Troka

“Këpuca e Artë” për meshkuj, Florent Hasani

Trajneri më i mirë, Orges Shehi

“Topi i Artë” për femra, Megi Doçi

“Topi i Artë” për meshkuj, Arinaldo Rrapaj

Arbitri më i mirë, Enea Jorgji

Formacioni më i mirë: Sherri – Përgjoni, Malota, Najdovski, Hadroj – Rrapaj, Aleksi, Fernando – Cara, Duamena, Hasani

“Nderi i Kombit” në futboll, Kombëtarja shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *