Skuadrat shqiptare vazhdojnë të mos e kenë fatin me vete, teksa pas shortit mjaft te vështirë që vuri Teutën përballë Granadës dhe Kukësin përballë Volsfburgut, ditën e djeshme edhe Partizani u vu në një moment mjaft delikat. KAS-i vendosi të mbajë në fuqi vendimin e Uefas për bllokimin e merkatos së të kuqve për 2 sesionet e ardhshme. Faktori kryesor i ketij dënimi ishte cështja Çinari, e cila rezultoi të ishte mjaft serioze.
Gjithashtu pak kohë më parë edhe Skënderbeu u njoftua me lajmin se dënimi 10 vjeçar do të mbetej në fuqi, çka e bën mjaft të vështirë për ekipin juglindor të luftojë për objektiva madhore. Të dyja çështjet e fundit kanë gjetur Ilir Dajën si trajner për të drejtuar skuadrat me problemet e mëdha, megjithëse nuk është aspak fajtor në të dyja rastet dhe i ka gjetur ekipet në këto telashe.
Ndoshta kjo i jep edhe më tepër vlerë fatit sesa ndikon në futboll, ku trajneri më i mirë shqiptar siç është etiketuar shumë herë në Shqipëri, Ilir Daja, nuk e ka pasur si aleatin e tij në vitet e fundit. Tashmë tekniku i Partizanit do të kërkojë që të arnojë skuadrën që kërkohet nga tifozët si kampion, për të pritur zgjidhjen e çështjes në merkaton e janarit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/