Nga Shkëmbi te Mahmutaj, Kategoria e Parë zbulon talentet e së Dytës

Vjali Mahmutaj i Bylisit, Joan Beçka i Burrelit dhe Fatjon Shkëmbi i Erzenit në pjesën e parë të sezonit luanin në futbollin amator. Por, në ndeshjen e parë në Kategorinë e Parë lanë “gjurmë”

Kategoria e Dytë, vitet e fundit është shquar për dhunë, për rezultate qesharake, për ekipe që s’kanë fanella apo shkojnë në ndeshje me 11-të vetë! Madje, ka edhe nga ato skuadra që s’marrin pjesë fare në garë. Futbolli, në Kategorinë e Dytë, vitet e fundit e thënë më “troç” ka qenë në planin B. Dikur, vite apo dekada më parë, në Kategorinë e Dytë, ka pasur shumë lojtarë të cilët afirmoheshin dhe luanin në Superiore, kryesisht ata që dilnin nga ekipet zinxhirë dhe nuk kishin hapësira në Kategorinë e Parë, sot Superiorja. Në këtë event kanë marrë pjesë edhe shumë qytete, të cilat sot janë “zhdukur” nga harta e futbollit, ndërsa si relike kanë mbetur fushat, apo tek-tuk ndonjë ekip moshash. Mirëpo, në këtë merkato, në këtë kategori që quhet e futbollit gjysmë-amator, spikatën edhe disa lojtarë të rinj. Madje, në qoftë se ata nuk do të transferoheshin apo nuk do të zbuloheshin nga klubet e Bylisit, Erzenit apo dhe Burrelit, nuk është çudi që këto emra mund të harroheshin, apo thjesht të mbeteshin me ëndrrën në “sirtar” për t’u bërë futbollist. Natyrisht nuk janë pa “gjë” si i thuhet në gjuhën e futbollit, sepse Vjali Mahmutaj, Joan Beçka apo dhe Fatjon Shkëmbi, në ndeshjen e parë në Kategorinë e Parë lanë “gjurmë”. Madje, Beçka e Mahmutaj janë edhe “heronj” pasi i dhanë fitoren skuadrave të tyre, Burrelit e Erzenit me golat që shënuan. Po kush janë dhe ku kanë luajtur. “Sport Ekspres”, sjell karrierën e tyre dhe një prononcim të tre futbollistëve që spikatën javën e shkuar…

Vjali Mahmutaj – Mesfushori me tipare sulmuese nga Tepelena, u pikas nga presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj gjatë një miqësore. “Ky do të bëhet më i mirë se Ardit Hoxhaj, – janë fjalët e Kapllanajt që kërkoi nga menaxherët e klubit ta bindin që të bëhet pjesë e Bylisit. Pak kohë te Iliria, i dalë nga moshat e Tiranës dhe më pas pjesë e Kukësit B. Dëmtime, një provë te Besa dhe afro dhjetë ditë më parë bëhet pjesë e Bylisit ku firmos. Debuton me Ilirinë si titullar. Një bast i fituar. “Jam i lumtur që e nis me gola aventurën në Ballsh. Fundja, ku ka ma mirë se të debutosh në Kategorinë e Parë si titullarë dhe të shënosh në një transfertë delikate. Do të punoj shumë. Bylisi është një klub më i njohur. Karriera ime, tashmë ka filluar të progresojë dhe natyrisht që dua të jap më të mirën. Bylisi është një ekip që u jep “dorë” lojtarëve të rinj ndaj edhe unë synoj që të jap më të mirën time”, – tha Vjali Mahmutaj që debutoi me gol te ballshiotët ndaj Ilirisë të dielën e shkuar.

 

Fation Shkëmbi – “Çelësi” kryesor i triumfit të Erzenit ndaj Besës, ishte i riu Fatjon Shkëmbi. Sulmuesi i ardhur në këtë merkato Janari nga kategoria e dytë bëri debutimin e parë në Kategorinë e Parë. Një dopietë e cila i dha shijakasve 3 pikët. “Ishte një debutim fantastik, kisha shumë emocione të jem i sinqertë prisja diçka të bukur por jo kaq fantastike sa kjo. Nuk kam fjalë ta shpreh atë çka përjetova në ato momente. Golat ja dedikoj familjes time në veçanti babait i cili është pranë meje duke më mbështetur në çdo moment. Nuk mund të mos i dedikoj edhe tifozëve që e bënë të paharrueshëm debutimin tim. Ishte një përjetim i papërshkrueshëm të shikoje se golat e mi ngritën “peshë” më shumë se 1500 tifozë të pranishëm. Goli i parë më hapi oreksin për më tepër. Falënderoj zotin që mu krijua një tjetër mundësi shënimi të cilën e shfrytëzova siç duhet. 2 gola për fillim dhe shpresoj se nuk do jenë të vetmit. Dua t’i falënderoj të gjithë ato qe besuan dhe panë tek unë se mund të jem një plus në ekip por edhe tifozët shijakase”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *