Nga Klaudio Ndreca
Një futbollist nuk mund të jetë kurrë i ditur! Ky tashmë është kthyer në një mit që përfshin të gjithë lojtarët, që sipas këndvështrimit të jashtëm nisur nga jeta që ata bëjnë dhe shkëputjen që kanë nga librat, mendohet që gjithçka në botë të rrotullohet për ta vetëm te topi.
Por në fakt, nuk është e tillë. Tashmë jemi në kohën e pandemisë dhe një vlerësim të lartë meriton padyshim Sherif Kallaku dhe Renato Arapi, pikësëpari për guximin që kanë për të thënë gjërat hapur dhe më pas për mënyrë e perceptimit.
Në ditën e sotme është e vështirë të flasësh vetëm për futboll, kur në zemër të Tiranës ka një përplasje mes shqiptarëve. Këtu dalim te një kritikë e hershme e Sherif Kallakut. Kur Shqipëria dërgoi mjekët në Itali, të gjithë e duartrokitëm gjestin e madh që u organizua nga ana e shtetit shqiptar.
Megjithatë, nëse ndihmon një fqinj, me çfarëdo mënyre, atëherë kjo do të thotë që edhe shtëpia jote është në gjendje të mirë. Kjo është një temë tjetër për t’u prekur, por Kallaku në mënyrë ironike këshilloi kreun e Shqipërisë që të dërgonte edhe mjek për nënën e Kristiano Ronaldos dhe Bufonit, ndërsa në vendin tonë kishte shumë njerëz pa u paguar për shkakun e pandemisë.
Një thumbim ky që është aktual edhe sot, teksa shohim shkelma në fytyrë nga ana e policisë dhe dhunë për vetë qytetarët shqiptarë që mendojnë ndryshe, ndërsa në Itali nuk mendohemi dy herë që të dërgojmë mjekë dhe për t’u kujdesur për gjendjen e tyre shëndetsore.
Pra, paradoksalisht, këtu diçka nuk shkon. Për të vazhdon edhe me Renato Arapin që prek në mënyrë të saktë nivelin e injorancës së frikshme në Shqipëri. Kjo është lehtësisht e prekshme në vendin tonë dhe lojtari i Teutës kërkon të zgjojë ndjejën e krenarisë të shqiptarëve. Në të tilla raste mund të thuhet se nga futbollistët mund të dëgjosh, jo vetëm të shohësh. /Sport Ekspres/