Italia dështoi të kualifikohej direkt për në Katar 2022 dhe tashmë duhet të lu.ftojë të sigurojë një nga tre biletat që ofron “play off“-i. Pavarësisht mungesave të shumta që kishte në ndeshjet e fundit, Mançini është vënë në qendër të kritikave përtej Adriatikut, duke të kujtuar edhe mentalitetin që shpesh herë hasim në Shqipëri. Mjafton shumë pak për të lartësuar një person, por duhet më pak se aq për të zeruar të gjitha sukseset e tij. Nga hero në fitoren e Kampionatit Europian, në një trajner që vihet në dyshim për aftësitë e tij vetëm pak muaj më pas, i tillë është edhe rasti i Mançinit. Në një prononcim të dhënë për “Radio 24”, De Biazi nxjerr në pah një “plagë” italianët, teksa në pak kohë harrojnë arritjet dhe sukseset që mund të ketë pasur një person.
“Në Itali, nga të qenit një shenjtor, menjëherë kthehesh në një idiot. Një kampion europian si Mançini po vihet në dyshim… Futbolli bëhet me lojtarët. Nëse ju mungojnë lojtarët kyç, ndryshon produktin përfundimtar të ekipit. Zhorzhinjo? Nuk është Zhorzhinjo ai që luajti Kampionatin Europian, shumë lojtarë nuk janë në formën më të mirë tani. Pastaj është komponenti i ndikimit mendor. Ne i kemi të gjitha kredencialet për të kaluar. Sigurisht që do të ishte më mirë të mos kalonim në këtë “play off“ të çuditshëm. E fitojmë nëse arrijmë të përgatitur, me ngarkesën e duhur të patosit, pa mbingarkesë mendore”, është shprehur Xhani De Biazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/