Është fati i çdo futbollisti profesionist: të kalojë çdo pengesë. Por, shumë pak kanë pasur aq sa Tiago Silva, që në rrugën e tij është dashur të sfidojë edhe fatin e keq dhe shpeshherë kur ka kthyer kokën mbrapa, ende i dalin ato hije të errëta që mund ta çonin në një botë larg asaj ku po jeton tani dhe larg njerëzimit…
Në Rusi, sonte, Tiago Silva është duke marrë pjesë në Kupën e tretë të Botës në karrierën e tij, por pa ndihmën e të ëmës, aventura në botën e futbollit do të kishte mbaruar pa nisur ende mirë.
I lindur në Rio de Zhaneiro, mbrojtësi Brazilian ka nisur karrierën si mesfushor, duke ngelur në provën e bërë me Fluminensen, Madureirën, Olarian, Flamengon dhe Botafogon, përpara se të zgjidhej nga Barcelona.
Por, jo klubi katalanas. Skuadra quhet Barcelona Esporte Klub, një klub i vogël që luan në kategoritë e ulëta braziliane.
Pas një viti te Barcelona, kalon te RS Futebol Klube, një skuadër e Serisë C, që sot nuk ekziston më, përpara se Juventude ta blinte në vitin 2004.
Këtu shndërrohet në mbrojtës qendre kur ishte vetëm 20 vjeç dhe përfshihet në 11-tshen “top” të elitës, duke rënë në radarin e Portos, që e blen për 2,5 mln euro dhe i pret biletën për në Europë.
Eksperienca e tij e parë në Portugali nuk është me aq fat, saqë luan vetëm një ndeshje në skuadrën e parë dhe në korrik 2005 bën valixhet, drejtimi Rusi, ku blihet nga Dinamo Moska.
Dhe këtu, nis kalvari i vërtetë për Silvën dhe sfida më e vështirë e jetës.
Pak pas ardhjes në Moskë, doktorët rus dallojnë gjendjen e tij shëndetësore të rënduar (kollë dhe temperaturë) me simptomat e tuberkulozit në një gjendje të avancuar dhe për gjashtë muaj shtrohet në spital.
Me kalimin e kohës, gjendja e tij përkeqësohet edhe më shumë dhe, ashtu si vetë ai do të rrëfente në vitin 2011, nëse do të priste ende për t’iu drejtuar një doktori, do të vdiste.
“Në vitin 2005 isha në huazim te Dinamo Moska, por qyteti ishte i tmerrshëm. Bënte ftohtë dhe u sëmura. Qëndrova në spital për gjashtë muaj. Shtova 10 kg dhe në vend të dobësohesha, siç i ndodh pacientëve, uria ime sa vinte dhe shtohej. Mamaja më tha se dukesha mirë, por unë nuk lëvizja dot. Isha i izoluar dhe kaloja kohën vetëm me kompjuterin. Ndonjë doktor, herë pas here, kalonte dhe më jepte medikamente e vizitonte.
Në fund, u kuptua se ishte tuberkulozë. Doktorët më thanë se nëse do të kalonin edhe dy javë të tjera kështu, nuk do të shërohesha më. Mendova se më erdhi fundi dhe e kujtoj edhe sot atë periudhë”.
Sëmundja ishte një goditje e rëndë për Silvën, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht, dhe në atë periudhë nisi të mendoj se futbolli tashmë nuk do të ishte e ardhmja e tij, por e shkuara…
Vetëm falë të ëmës së tij, Anxhela, gjeti dëshirën për të luajtur. E të mendosh që e ëma kishte menduar të abortonte kur ishte shtatzënë me Tiagon.
“Bëra një provë te Flamengo, por më thanë se isha më i dobëti dhe mund të ikja, sepse për ata nuk bëja. i thashë mamasë se e mbylla me futbollin, por ajo më tha se duhet të sforcohesha, mos dorëzohesha në jetë, ta bëja për veten dhe familjen që besonte te unë”.
Më pas, shpëtimi, firma me Fluminensen në 2006 dhe kalimi me Milanin në vitin 2009 dhe më pas PSG në vitin 2012. Deri te 13 tituj në tre vende të ndryshme, tre pjesëmarrje në botërore me Brazilin dhe dy Olimpiada, duke qenë shpesh edhe kapiten.
Sot, Brazili i tij luan në Rusi për të ngritur trofeun, por sido që të shkojë, ai ka fituar luftën e tij, atë për të jetuar dhe rigjetur buzëqeshjen. “Shndërrova pesimizmin në një sfidë dhe dëshpërimin në vendosmëri”.