Ka përfunduar zyrtarisht sot edicioni i 7-të i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit “UEFA Pro”, që është edhe niveli më i lartë për një trajner futbolli.
Në fakt, edicioni kishte startuar në shtator 2019 dhe duhet të kishte përfunduar në qershor, por shpallja e pandemisë botërore Covid-19 detyroi edhe Sektorit të Edukimit në FSHF që të ndryshonte planet.
Fillimisht kursi u shty në muajin mars dhe më pas me lehtësimin e masave kufizuese nga autoritetet shëndetësore, pjesëmarrësit dhe lektorët u rikthyen në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz, për të vijuar me programin. Në çdo moment janë respektuar masat kufizuese dhe protokollet sanitare për të parandaluar përhapjen e virusit.
Pas përfundimit të kursit, sot (e premte) është zhvilluar edhe ceremonia e ndarjes së diplomave “UEFA PRO”, ku të pranishëm kanë qenë edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Fatbardh Jera si edhe drejtuesit e Sektorit të Edukimit, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj, të cilët janë përgjegjësit për organizimin e këtij programi arsimor.
Edhe këtë edicion në këtë kurs morën pjesë emra të njohur të futbollit, por edhe trajningut shqiptar, të cilët janë edhe të sprovuar në kampionatin shqiptar si Bledi Shkëmbi, Orges Shehi, Bledar Devolli, Elvis Sina, Rrahman Hallaçi, Artan Sakaj, Daniel Xhafaj, etj.
Kujtojmë se pjesëmarrësit e kursit “UEFA PRO” ishin në tetor 2019 në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, ku edhe morën certifikimet paraprake që nevojiten për shkallën “master” të licencimit të trajnerëve. Ky është niveli më i lartë i licencës dhe trajnerët që zotërojnë “UEFA PRO” mund të drejtojnë çdo lloj skuadre në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Kursi zgjati rreth 10 muaj dhe ishte i ndarë në 12 plane edukative, sipas një programi të orientuar nga UEFA, në bashkëpunim me FSHF-në.
Në pjesën e parë të kursit kanë qenë të pranishëm edhe lektorë të huaj profesor Renzo Ulivieri, drejtor i shkollës në Koverçiano dhe profesor Ferretto Ferretti, përgjegjës katedre i teorisë dhe metodologjisë sportive po në këtë shkollë.