Shqipëria U-17 do të grumbullohet për një javë në qytetin e Durrësit, ku tekniku Xhemal Mustedanagiç do të përcaktojë grupin e lojtarëve që do të jenë baza për kombëtaren e kësaj moshe.
Sot në mesditë boshnjaku ka dalë në konferencë për shtyp ku ka prezantuar listën e lojtarëve të grumbulluar për stazhin në Durrës, ku do të vëzhgohen lojtarë të datëlindjeve 2002 e 2003.
Janë 23 lojtarë të përzgjedhur, nëntë prej të cilëve luajnë në Shqipëri, një në Kosovë dhe të tjerët të shpërndarë nëpër Europë. Bien në sy emra si mesfushori Erik Troqe i Milanit, mbrojtësi Romedi Llapi i Valencias apo sulmuesi Ogri Krasniqi i Totenhemit, por pas stazhit në Durrës do të kuptohet cilët lojtarë vlejnë për të ardhmen, sipas trajnerit.
Në fjalën e tij Mustedanagiç u shpreh:”Pas këtij grumbullimi do të përzgjedhim lojtarët që do të jenë pjesë e ekipit kombëtar U-17. Sigurisht, nëse pas këtij grumbullimi gjejmë ndonjë futbollist më të mirë do ta afrojmë në ekipin kombëtar. Kemi një brez të talentuar futbollistësh. Dua të theksoj se djemtë janë të talentuar, me cilësi të mira. Në kohën time mjaftonte vetëm talenti, ndërsa tani kërkohet më shumë se kaq. Duhen shumë cilësi, talenti është vetëm hapi i parë, duhen disiplina dhe karakteri për të vazhduar më tej.
“Mënyra ime e lojës është sulmuese, kjo varet dhe nga kundërshtari që do të kemi përballë. Pavarësisht se kë kemi pasur përballë, kemi pasur ekipe shumë të forta si Kroacia dhe Spanja, ne kemi bërë futboll të bukur dhe dinjitoz. Shpresoj që këtë herë të kemi gjykime të mira, pasi jemi dëmtuar nga gjykimi në fazën e eliminatoreve për këtë moshë. Një pikë e mohuar kundër Kroacisë do mjaftonte për ne të vazhdonim në Elite Raund. Nga data 19-24 prill do kemi një turne në San Marino, kundërshtarët janë Italia, Rumania dhe San Marino, në shtator kemi një grumbullim tjetër dhe do të luajmë miqësore me Kosovën, Malin e Zi ose Maqedoninë. Në muajin tetor do të luajmë ndeshjet e para te eliminatoreve, shpresojmë që këtë here të kualifikohemi.“-përfundoi fjalën e tij trajneri i përfaqësueses U-17.