Nga Lilaj te Mici, ja kush mund të shiten në janar!

Sa shumë oferta për korçarët. Drejtori sportiv Haris Fakiç zbulon emrat e lojtarëve, për të cilët ka interesim konkret nga jashtë vendit

Leonard Trebicka

Sport Ekspres ka mësuar dje nga drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, ofertat më të fundit që kanë mbërritur në zyrat e klubit. Dhe nuk janë në fokus një apo dy lojtarë, por plot pesë, për të cilët ka interesim konkret nga klube të huaja. Deri tani ka apsur shumë zëra për Bajram Jashanicën dhe Bakari Nimagën dhe kjo dyshe me shumë gjasa në janar do të shitet. Drejtori Fakiç ka zbuluar edhe tre emra të tjerë, pasi interesi është rritur nga paraqitja e mirë e Skënderbeut në Europë dhe në kampionat. Për disa lojtarë interesohen klube me emër në Europë, por që për momentin mbahen sekret. Përveç Jashanicës dhe Nimagës, por edhe Enis Gavazajt, së fundi dy lojtarë të tjerë kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme europiane dhe ata janë Sabjen Lilaj dhe Gledi Mici. Për këta dy lojtarë, i pari mesfushor dhe tjetri mbrojtës, pak ishte folur, por tashmë gjithçka është konkrete. Klubet e huaja kanë paraqitur kërkesën e tyre financiare në klubin Skënderbeu, në mënyrë që në muajin janar, kur të hapet merkatoja dimërore, të shiten. Në fakt, për momentin ka oferta, por nuk është e thënë që këta 5 lojtarë do të largohen në janar. Drejtuesit do të shesin ata lojtarë, për të cilët ofertat janë më të mira dhe që vijnë nga klube serioze në Europë.

FAKIÇ – Drejtori Sportiv i klubit Skënderbeu, për Sport Ekspres u shpreh: “Së pari dua të them se jemi të kënaqur nga paraqitja e deritanishme e ekipit në Europë dhe në kampionat. Ekipi ka ardhur në rritje dhe ka stabilitet, por presim rritje të mëtejshme edhe më cilësore. Kemi marrë disa herë pjesë në kompeticionet europiane vitet e fundit dhe kjo gjë e ka rritur së tepërmi besimin te skuadra dhe te lojtarët për vlerat që ata kanë. Në politikën e klubit është afrimi i futbollistëve të talentuar, të cilët rriten dhe i shërbejnë sa më shumë ekipit. Më pas janë në merkato, por mos harroni se parësore është ti shërbejnë Skënderbeut. Vlerat e lojtarëve të Skënderbeut janë rritur së tepërmi kohët e fundit dhe përveç Bajram Jashanicës e Bakari Nimagës, ka interesim edhe për Enis Gavazajn, Sabjen Lilajn dhe Gledi Micin. Kjo nuk do të thotë se të gjithë këta emra do të largohen në janar nga Skënderbeu. Do të shihet në bazë të ecurisë, rezultateve dhe rritjes së futbollistëve që janë në kontigjentin e klubit. Më pas do të vendoset për emrat që mund të shiten.
Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë konkretisht në janar dhe cilët prej këtyre lojtarëve do të shiten nga Skënderbeu.

DËNIMI Për dënimin e fundit që ka marrë Skënderbeu nga UEFA, Fakiç tha: Më vjen keq për dënimin. Do të thosha se ka pasur raste analoge, që nuk kanë pasur këtë shkallë dënimi. Si klub, nuk na vjen keq për 60 mijë eurot e gjobës, por për tifozët, të cilët nuk do të jenë në stadium ndaj Dinamos së Kievit, pasi dihen që ata janë lojtari i 12-të”. Për ndeshjen e së enjtes në Beograd dua të shtoj se nuk jemi aspak në presion dhe besojmë shumë te një paraqitje dinjitoze. Shpresojmë që lojtarët të jenë maksimalisht në formën e tyre dhe më pas gjithçka që mund të marrim në atë 90-minutësh le ta tregojmë në fushë.

Pesë lojtarët që mund të ikin në janar
Sabjen Lilaj (mesfushor)
Bakari Nimaga (mesfushor)
Enis Gavazaj (mesfushor)
Gledi Mici (mbrojtës)
Bajram Jashanica (mbrojtës)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *