Nga Korça në Krasnojarsk, në Siberi. Hapi i Enis Gavazajt ishte i madh dhe kjo nuk lidhet vetëm me distancën mbi 5,300 kilometra në rrugë ajrore ndërmjet dy qyteteve. Për ta kuptuar largësinë, mund të shërbejë distanca në rrugë tokësore, afro 7,000 kilometra, për një udhëtim që zgjat 85 orë (tre ditë e gjysmë me makinë).
Por, gjithçka ia vlen për të luajtur në Premierligën ruse, një prej kampionateve më të fort në Europë. Një aventurë e re për mesfushorin ofensiv, që për “Sport Ekspres” zbulon ndjesitë e para nga ekipi dhe drejtuesit, pritshmëritë, duelin me tre miqtë shqiptarë të Akhmat Groznit, ndërsa ka edhe një mesazh domethënës për Skënderbeun, ekipin me të cilin fitoi dhe u promovua në arenën ndërkombëtare.
Enis, u transferove në Rusi me Enisej Krasnojarsk që fitoi garën me skuadra të tjera nga liga europiane, që ishin alternativa për të ardhmen tënde…
Liga ruse është ndër më të fortat në Europë dhe mendova se transferimi këtu do të më bëj mirë për të ardhmen time. Kjo është arsyeja që, kur më erdhi oferta, nuk u mendova shumë dhe pranova.
Si ishte ndjesia e ditëve të para pas firmës?
Ishte një ndjenjë normale, edhe pse e pranoj që isha i lumtur dhe i gatshëm prej asaj dite të jepja më të mirën për ekipin.
Çfarë bisedove me drejtuesit dhe stafin teknik, a kishte diçka konkrete për ambiciet dhe objektivat e klubit?
Po… pasi u prezantova, trajneri më ftoi dhe më foli me hollësi rreth mendimit që ka për mua dhe për të ardhmen që do të kemi së bashku. Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që ai ka besim te unë dhe kjo më jep motivim shtesë për të arritur objektivat.
Enisi vetë çfarë pret nga kjo aventurë e re?
Së pari pres të mos kem dëmtime dhe të jem i gatshëm për çdo ndeshje. Shpresoj që të kem sa më tepër minuta në dispozicion dhe gjithashtu të kem ecuri pozitive, si në planin personal, ashtu edhe në atë ekipor.
Në të kaluarën ke luajtur në Belgjikë në nivele të larta, mendon se mund të përshtatesh shpejt edhe në Premierligën ruse?
Personalisht do të mundohem që të ambientohem sa më shpejt dhe ta nis këtë aventurë të re.
Në Rusi luajnë edhe Balaj, Roshi dhe Berisha te Akhmat Grozni, a ke biseduar dhe të kanë këshilluar se çfarë të pret në këtë kampionat?
Të them të drejtën nuk kam folur me asnjë prej tyre përpara transferimit. Por, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, më kanë uruar dhe kjo më lumturon, edhe sepse do ti takoj shumë shpejt, në javën e dytë, kur do të kemi ndeshjen me Akhmat Grozni.
U largove nga Skënderbeu në një kohë kur ekipi ka humbur edhe disa emra të tjerë të rëndësishëm; cila skuadër mendon se do të jetë kampione e Shqipërisë… sërish Skënderbeu apo ndonjë nga rivalet e tjera?
Padyshim, mendoj se Skënderbeu do të jetë përsëri kampion. Nuk kam dyshime dhe besoj se ekipi që po ndërtojnë presidenti Takaj dhe trajneri Shehi do të jetë shumë i fort. Në fund, do të jenë sërish ata fituesit e Kategorisë Superiore.