Nga KF Shkodra shkon tek gjigandët e Portugalisë, mbrojtësi i Shqipërisë kërkon të marrë shansin e jetës

Nga Klaudio Ndreca

Shkodra është toka e bekuar dhe një minierë ari për futbollin në Shqipëri sa i përket talenteve që nxjerrë në këtë sport. Fatkeqësisht për ta që nuk kanë arritur kurrë për të shfrytëzuar kapacitetet e tyre, as gjysmën që zotërojnë, por nga ana tjetër ekipet në Shqipëri fërkojnë duart me rastet që vijnë nga ky qytet.

Shpeshherë kalohet edhe kufiri me lojtarë cilësorë që kërkojnë të bëjnë një kalim të madh. Marcelino Preka është një prej tyre, teksa me ekipin e KF Shkodra ka treguar të gjitha aftësitë që zotëron jo vetëm në mbrojtje, por për t’i dhënë një dorë ekipit për të qenë kërcënues edhe në portën kundërshtare.

Në vështrimin e skautëve të ndryshëm ka rënë ky lojtar, ndërsa në vitin e shkuar u nis për të bërë prova te SPAL. Tashmë kur ka kaluar 1 vit dhe Preka ka më tepër pjekje, ndërsa mban veshur edhe fanellën e të rinjëve të Shqipërisë, ka ardhur një nga ato mundësi që nuk mund të lëshohen lehtë. Bëhet fjalë për gjigandët portugez të Portos që i kanë dhënë një mundësi këtij mbrojtësi për të shpalosur aftësitë e tij në prova për disa ditë. Nëse Preka do të arrijë t’i kalojë me sukses, atëherë do t’i bashkohej menjëherë skuadrës B të Portos duke pritur mundësinë që mund të vinte për ekipin e parë. Talenti dhe aftësia nuk i mungon, por a do të jetë ky momenti i duhur? Mbetet të shohim! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *