Nga Guri te Rexhinaldo e Qaqi, vërshojnë menaxherët në Kukës

Jo vetëm Guri e Uzuni u vëzhguan dje, por edhe sulmuesi i mbrojtësi i kurbinasve kanë marrë vlerësime pozitive. Grasshopers, Panionios dhe Ankaragyçy hedhin “grepat”

Jurgen Zela

Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë ishte “arenë” edhe për menaxherë të ndryshëm klubesh, që kishin mbërritur në Kukës për të parë disa prej lojtarëve të të dyja skuadrave. Panionis, Grasshoper dhe Ankaraguçu kishin zbarkuar në “Zeqir Ymeri” dhe “Sport Ekspres” mëson edhe emrat e lojtarëve të interesuar. Nën shoqërinë e menaxherit Konstandin Grillo, ata kanë ndjekur ndeshjen Kukësi-Laçi dhe shënjestra është te katër futbollistë. Sikurse kemi bërë të ditur, turqit e Ankaragyçy ishin me mision për të parë Myrto Uzunin e kurbinasve, por edhe Sindrit Gurin, që duhet thënë se ka një çmim relativisht të lartë. Gjithsesi nëse ngjiten në Superligën turke dhe janë pranë arritjes së këtij objektivi, ia vlen të paguash për kartonin e shkodranit. Por për të ishin në stadium edhe përfaqësuesi i zviceranëve të Grasshoper. Ata e kanë ndjekur me kujdes Gurin dhe paraqitje e tij kundër Laçit ishte e mirë, por mbetet për t’u parë nëse janë bindur.

REXHINALDO-QAQI
Dy lojtarë të tjerë janë shtuar në listën e futbollistëve që përfaqësuesve të klubeve të mësipërme u kanë pëlqyer. Në rreth ka përfunduar mbrojtësi Harallamb Qaqi i Laçit, i cili ka edhe pasaportë greke. Në verë atij i ka ardhur edhe njoftimi për të kryer shërbimin ushtarak në Greqi dhe me shumë gjasa në verë do të largohet drejt vendit fqinj. Panionis është një pistë për të. Por nuk mund të mos binte në sy Rexhinaldo, shënuesi më i mirë i Laçit në kampionat me 12 gola. Në kupë ishte i dyti për të, por më shumë vlera, pasi i dha kualifikimin në finale kurbinasve. Në verë ai është lojtar i lirë dhe mund të zgjedhë vetë se ku do ta luajë në të ardhmen, një plus edhe për klubet që e duan, që nuk u nevojitet të paguajnë për kartonin e sulmuesit nga Mozambiku. Për të tani është Grasshopers që e ka pëlqyer dhe transferimi në Zvicër do të ishte një hap i madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *