Shqipëria do të luajë dy takimet miqësore pas pak ditësh, një në Zvicër kundër Kosovës dhe tjetrin në Francë kundër Ukrainës.
Trajneri i ekipit kombëtar, Kristian Panuçi, ka bërë publike sot edhe listën e lojtarëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet miqësore me Kosovën (29 maj) dhe me Ukrainën (3 qershor). Janë 24 lojtarë që janë thërritur për këto dy takime, ku nën drejtimin e trajnerit dhe stafit do të nisin përgatitjet në datë 26 maj në Zyrih. Mungon Armando Sadiku, i lënë pushim nga Panuçi.
Spikasin në këtë listë hyrjet e reja në skuadrën përfaqësuese, sikundër është sulmuesi i Kukësit, Sindrit Guri, apo edhe mbrojtësi i majtë Egzon Binaku, që luan me skuadrën suedeze të Malmos. Pikërisht Binaku është risia e madhe e Kombëtares, sepse është një emër i ri, që nuk ka qenë më parë në fokus. Bëhet fjalë për një mbrojtës 22-vjeçar, ish-anëtar i Suedisë U21, i cili këtë dimër kaloi nga Haken te Malmo, ku po luan rregullisht.
Rikthehen sërish në skuadrën kombëtare futbollistët Armando Vajushi dhe Emanuele Ndoji, që janë vlerësuar për t’u grumbulluar për këto dy ndeshje. Ndeshja e parë miqësore e ekipit kombëtar do të luhet në Zyrih, në datë 29 maj, në orën 20.00 me Kosovën, ndërsa takimi i dytë me kombëtaren e Ukrainës do të luhet në Evian (Francë) në datë 3 qershor.