Radhë të gjata për bileta para ndeshjes, festë gjatë saj, tension e ofendime në fund, ndaj gjyqtarit, FSHF-së dhe Takajt
Elton Nika
Flamurtari-Skënderbeu mbetet gjithmonë një ndeshje e veçantë dhe pavarësisht vendit në renditje të dy skuadrave, rivaliteti është gjithmonë i madh. Atmosfera në fakt ka qenë e ndezur edhe para ndeshjes së djeshme, madje dy orë para saj grupimi “Flota kuqezi” është mbledhur pranë ambienteve të stadiumit, duke nisur mbështetjen ndaj skuadrës. Kore dhe këngë për Flamurtarin, por edhe thirrje kundër Skënderbeut, si për të treguar se sezoni 2010-2011 nuk harrohet lehtë në Vlorë. Interesimi për të qenë në stadium dje në Vlorë disa herë më i lartë se në çdo takim tjetër. Radhë të gjata para sportelit të biletave në afërsi të stadiumit, ndërsa me afrimin e ndeshjes kërkesat e tifozëve rriten dhe radhët shtohen. Ka nga ata që hyjnë në stadium edhe disa minuta pasi takimi ka startuar. Në stadium ka entuziazëm dhe numri i tifozëve mësohet se është gati mijë. Vihet re menjëherë se do të jetë një ndeshje krejt ndryshe nga të tjerat, vihet re edhe ora elektronike e vënë në funksion për këtë takim. Me nisjen e ndeshjes atmosfera nxehet, ka fishekzjarre nga tifozët vlonjatë, por interesim ka edhe nga pallatet ngjitur me stadiumin. Mjaftojnë disa minuta, një penallti e pretenduar dhe veç atmosferës ndihet dhe tensioni. Nuk mungojnë thirrjet kundër gjyqtarit.
TENSIONI – Në tribunën “VIP”, administratori Idrizi qëndron pranë presidentit Takaj, ndërsa tribuna qendrore është e tejmbushur. Në fushë vazhdon normalisht loja. “Flota” shpalos një parullë të saj, duke besuar se këtë herë nuk cenon FSHF-në, të paktën kështu shpresojnë pjesëtarët e saj. Flamurtari shënon dhe atmosfera është elektrizuese. Në pushim të gjithë besojnë se është dita e Flamurtarit, ndërsa me nisjen e pjesës së dytë vendimet e gjyqtarit kontestohen në çdo moment. Vlonjatët gjykojnë se kanë gjithçka kundër. Goli i anuluar për vlonjatët nxeh atmosferën, kurse goli i barazimit të Skënderbeut krijon tension. Thirrje kundër gjyqtarit dhe kundër FSHF-së, që për çudi deri në këtë moment kishin munguar. Nuk mungojnë thirrjet kundër Takaj, të cilit i kërkojnë të largohet së bashku me gjyqtarët. Përfundimi i ndeshjes shoqërohet me tension të paparë, thirrje të shumta kundër gjyqtarit, duke pasur parasysh penalltinë e padhënë dhe golin e anuluar, por ka duartrokitje për Flamurtarin. Mbyllet gjithçka 1-1, por për të gjithë ishte si një humbje e Flamurtarit. Takaj largohet dhe rreth tij ka shumë tension, aq sa detyrohet të ndërhyjë edhe Sinan Idrizi, i revoltuar me sjelljen e shumë tifozëve në tribunën qendrore. Pas disa minutash kaos, forcat e rendit pastruan ambientet e brendshme të stadiumit, ndërsa Takaj, me një qetësi olimpike, u largua pa folur. Nuk është hera e parë që ka probleme të tilla në Vlorë, Skënderbeu mbetet armiku numër 1 dhe presidenti korçar ndoshta është penduar që u rikthye.