Dy vjet më parë Liria e Prizrenit niste një projekt interesant, me pikënisje trajnerin e ri Bledi Shkëmbi. Nga fushat e blerta, direkt e trajner, por duke fluturuar ulët: Shkëmbi kërkonte një start të butë e pa presion dhe Liria ia premtoi këtë gjë, duke i lënë dorë të lirë edhe në ndërtimin e skuadrës.
Shkëmbi, duke mos e njohur shumë tregun në Kosovë, vendosi të merrte shumë lojtarë nga kampionati shqiptar. Asnjë shpenzim marramendës, por vetëm lojtarë në kërkim të ringritjes së karrierës, apo të rinj të uritur.
Edvan Bakaj kërkonte të linte pas vitet pa shumë minuta te Tirana, Kaja e Vrapi kishin eksperiencë dhe nuk kishin pretendime të mëdha financiare, ashtu si Jetmir Sefa. Domgjoni, Gavazaj e Kote donin minuta, Florent Avdyli ishte një tjetër i ri shumë interesant, Stefan Kocev ishte një mbrojtës cilësor që la futbollin maqedonas për Prizrenin, Artur Magani kërkonte të luante larg hijes së të atit Gugash.
U ndërtua një ekip interesant, me ndërthurje të bukur moshe dhe me shumë shqiptarë brenda, pa dallim nëse këtej apo andej traut. Deri në pranverë Liria ishte surpriza e bukur e sezonit, skuadër që luante futboll dhe nuk mposhtej lehtë. Natyrisht, i duhej kohë, sepse u ndërtua thuajse nga zero, imagjinojeni vetë çfarë mund të bënte me 3-4 përforcime një vit më pas.
Megjithatë, te Liria kishte dallgë dhe projekti mori fund në pranverë. Ikën drejtuesit, erdhën të tjerë, gjithçka mori fund dhe Shkëmbi e kuptoi që duhej të largohej, pasi gjithçka kishte marrë fund.
Liria tani ka zbritur nga Superliga e Kosovës, pas një sezoni mediokër, ndërsa koha e Shkëmbit dhe ëndrrat me Europë duken dekada larg.
Po ata futbollistë që ishin para dy vitesh? Të gjithë kanë bërë karrierë: Edvan Bakaj te Drita e më pas Luftëtari, Kocev sërish titullar në Maqedoni, Domgjoni te Laçi, Basriu shkoi te Trepça’89, Magani e Zeka dolën kampionë me Feronikelin, Dellova shkoi te Hajduku i Splitit, Avdyli e Gashi tek Teuta në Durrës, Korenica shkëlqen te Prishtina.
Thuajse të gjithë lojtarë në moment jo të mirë para firmës në Prizren, të ringjallur ose të rritur te Liria, meritë e Shkëmbit dhe drejtuesve të parë të klubit, por më pas u pa se si në futboll mund të shkatërrohet gjithçka brenda pak ditësh. Më sakt, në futbollin shqiptar, sepse fenomeni Liria nuk është i izoluar, mjafton të shohim në Vlorë, për shembull.