Nga ëndrra e “Europa League” te Partizani, drejtori i Vllaznisë: E njëjta renditje do mbetet, Partizani pas nesh

Vllaznia do të ketë një “finale të parakohshme” kundër Partizanit në javën e ardhshme të Superiores. Nëse shkodranët do t’ia dalin kundër të kuqëve për të marrë tre pikët e radhës, atëherë do të thellohet diferenca me ndjekësit më të afërt.

Në një lidhje direkte me Ermir Vajushin ishte së fundmi drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati. Teksa ka folur për ndeshjen e radhës është siguruar karikimi i futbollistëve të ekipit shkodran që kërkojnë të lajnë gabimin e bërë në ndeshjen e fundit kundër Kastriotit, që u mbyll pa gola. Gjithashtu Djarmati ka rrëfyer edhe punën e bërë deri më tani në Shkodër, ku vlerësoi së tepërmi mënyrën e punës së Xhaferit.

“Jetoj në Shkodër tani, por nuk më shohin shumë në rrugë. Vetëm kur shkoj në stadium që mbyll ato punët. Më pas qëndroj në shtëpi atje ku më mjafton vetëm interneti dhe laptopi, që të bëj punën time. Mund të shkoj në disa raste në restorant me ndonjë prej stafit të Vllaznisë. Në ato herë që kam dalë për kafe në Shkodër shoh që nuk flitet për asgjë tjetër, veç Vllaznisë. Alban Xhaferi i beson shumë stafit të tij dhe ku ka hierarki dhe besim, rezultati do të vijë. Nëse nuk respektohet hierarkia, nëse ndërhyn në formacion kryetarja e Bashkisë që është e para, Albani që është i dyti apo unë te trajneri, atëherë gjërat do të shkojnë keq.

Ardhja e djalit të trajnerit të Vllaznisë? Është shumë interesant, do jetë për shumë kohë në Shkodër. Por nuk lidhen së bashku, nëse ikën pas një fare kohe trajneri, djali mbetet këtu. Janë dy persona të ndryshëm në këtë aspekt. Kush punon edhe gabon, kam vendosur dorën në zjarr për disa lojtarë te Vllaznia, por në fund nuk kanë rezultuar ashtu siç unë i prisja. Ëndrra ime do të ishte kalimi i disa tureve në Europë, ose futja në grupet e “Europa League” dhe pastaj të ndërtonim disa fusha të reja për akademinë, pasi janë kushte shumë të vështira tani.

Ndeshja me Partizanin? E njëjta renditja do të jetë edhe pas ndeshjes, Partizani do të jetë i dyti dhe Vllaznia e para (qesh). Djemtë ishin shumë të karikuar në stërvitje dhe mezi po presin ditën e ndeshjes që të lajnë gabimin me Kastriotin”, u shpreh Djarmati. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *