Trajneri i Kukësit ka vendosur të braktisë për të disatën herë intervistën pas ndeshjes, ndërsa të njëjtën rrugë zgjodhi herën e fundit edhe Tomas Brdariç. Ky i fundit u pyet nga gazetarët nëse ndihej i rrezikuar në postin e tij pas disfatës në klasiken e Shqipërisë kundër Tiranës, çka solli edhe shpërthimin e tij. Një e qeshur ironike dhe më pas largimi i menjëhershëm nga mikrofonat. Një sjellje kjo që është kritikuar së tepërmi nga Nevil Dede. Kreu i pankinës së Erzenit ka thënë në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“ se trajnerët e huaj paguhen më mirë se ata shqiptarë dhe për këtë arsye duhet të përcjellin emancipim në daljet publike dhe jo agresivitet.
“Mendoj që duhet ta prekim pak si fenomen, sepse për mua është shumë e rëndësishme. Klubet tona për t’u zhvilluar akoma edhe më shumë, investojnë më shumë për të marrë trajnerë të huaj. Në gjykimin e parë pretendohet me CV më të pasur, me karrierë më të suksesshme dhe vijnë nga nivele të tjera, ndoshta më të larta se futbolli shqiptar. Por vijnë këtu, punojnë më komod se sa një vendas. Këtë dua ta theksoj, se sa një trajner shqiptar. Për shumë arsye.
Paguhen më mirë se sa një vendas dhe në fund fare duhet që për gjithë këto arsye të menaxhojnë më mirë raportin pyetje-përgjigje. Pyetjen e ka pronë gazetari, përgjigjen e kam pronë unë si trajner. Ata duhet të përcjellin më shumë emancipim, jo agresivitet. Nëse ata janë bërë pjesë e asaj anës jo të shëndetshme të komunitetit të futbollit shqiptar, pra përgjigjen gjithmonë me agresivitet ose të abandonojnë, kjo nuk shkon. Ti prandaj paguhesh, prandaj ke ardhur këtu, që të përcjellësh diçka më të mirë se sa një shqiptar. Po tregojnë mungesë respekti karshi tifozëve dhe medias”, ka thënë Nevil Dede./Sport Ekspres/