Redi Jupi e sheh Tiranën si favoriten e vetme për të fituar titullin e Superiores. Pavarësisht se kjo humbje e fundit ndaj Teutës në shifrat 1-0 ka tronditur disi bardheblutë, që janë vetëm 6 pikë larg Kukësit, Jupi shprehet se ka parë kryesuesit aktual në një formë të mirë edhe përballë një kundërshtari që ishte në ditën e tij. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, ka theksuar:
“Ajo që më surprizoi ishte intensiteti dhe agresiviteti i lojtarëve të Teutës, pavarësisht se nuk kishte cilësitë e Tiranës. Pamë një ndeshje të nivelit shumë të mirë. Nga ana tjetër pamë Tiranën që kishte tre raste të pastra shënimi, duke treguar se mund t’i shënojë kujtdo dhe kurdo. Pra edhe duke parë se përballë kishte kundërshtarin në ditën më të mirë, sërish ishte në formën e duhur. Nga 1-10 sa favorite është Tirana për titullin? Unë mendoj 10. U pa qartë se Teuta kishte mundësinë që të përgatitej më gjatë fizikisht gjatë kësaj periudhe”, tha Jupi. /Sport Ekspres/