Nexhipi: Po tentojmë një goditje të madhe në sulm

Drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi në një intervistë për “Supersport” ka komentuar situatën e merkatos te nënkampinët. Normalisht drejtori e pranon se do të jetë e vështirë që të gjendet një zëvendësues i Gurit. Sa i përket Koliçit, Nexhipi thekson se do të respektohet kontrata me “gardianin” porgradecar.

MERKATO – “Për emrat që përmenden në media mund të them se është dhe gjë normale, pasi jemi futur në kohën kur do të ketë shumë spekulime. Mendoj se në momentin e duhur do të ketë njoftime nga klubi për gjëra konkrete. Akoma nuk është konkretizuar asgjë. Jemi në bisedime me shumë lojtarë dhe shpresoj se ditët në vijim deri në fillim të përgatitjeve, që nisin në datë 11, do tentojmë që 80% të skuadrës ta kemi aty. Në datën 15 skuadra do të niset drejt Sllovenisë”.

PASUESI I GURIT – “Fokusi jonë është që të gjejmë një zëvendësues të Gurit edhe pse do të jetë e vështirë. E gjithë bota kërkon sulmues. Do tentojmë që të bëjmë një goditje të mirë e të madhe në sulm, pasi na duhet një lojtar që të na garantojë gola. I kemi disa opsione. Ka shumë lojtarë me kualitet si në Shqipëri dhe jashtë vendit. Jemi në bisedime me disa sulmues dhe urojmë që ta mbyllim para datës 10.

KOLIÇI – “Koliçi është pjesë e klubit, pjesë e rëndësishme, pasi dihet se çfarë ka dhënë ai për klubin e Kukësit. Ai ka kontratë me klubin dhe do të jetë pjesë e Kukësit.

PJESËMARRJA NË EUROPË – “Ne jemi të gatshëm për të luajtur në Europë. Do të jetë UEFA ajo që do të vendosë nëse ne do të luajmë në Champions League apo më Europa League. Në Champions duhet të kesh dhe fat veç cilësisë dhe kualitetit. Është shumë e vështirë për ekipet nga Ballkani që të futemi në Champions League. Të gjithë i dimë pretendimet e Kukësit dhe presidentit tonë që kërkon të nxjerrë më të mirën në çdo ndeshje, kështu që do të bëjmë çmos që të arrijmë të paktën t’ia plotësojmë dëshirat. Uroj që të këtë vit të futemi në grupe, por për këto gjëra duhet të kesh dhe pak fat në short edhe të kalosh sa më mirë”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *