Mbetet i ndezur debati në lidhje me dënimin e mundshëm të Skënderbeut, që rrezikon të përjashtohet të paktën për 10 vite nga kupat e Europës, duke qenë nën akuzë për trukime ndeshjesh nga UEFA. Mbrëmjen e djeshme drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, u pyet në lidhje me këtë çështje në “Zona Gol” në Supersport dhe kujtoi precedentin Pobeda në Maqedoni, me klubin nga Prilepi që u përjashtua për 8 vite nga UEFA, kur u zbulua se kishte trukuar një ndeshje në Europë, dekadën e shkuar.
“Në Maqedoni kemi pasur një rast të ngjashëm me Skënderbeun. Pobeda e Prilepit është përjashtuar për 8 vite dhe për bazë u morën parasysh raportet në lidhje me bastet, si dhe u morën në pyetje shumë njerëz. Një ndeshje u konsiderua e trukuar dhe Pobeda u përjashtua për 8 vite, si dhe e zbritën në kategoritë e ulta. Pobeda u përjashtua fillimisht në Europë, ndërsa më pas Federata Maqedonase e rrëzoi në kategorinë e katërt”.
A rrezikon Skënderbeu zbritjen? “Po, mendoj se rrezikon zbritjen në kategorinë më të ulët në Shqipëri, nëse nuk ka ndryshuar rregullorja në krahasim me para disa vitesh, kur u përjashtua Pobeda”.
“Kukësi? Ne vazhdojmë rrugën tonë, kjo temë nuk ka intereson për momentin, sepse vendimi do të jepet pas disa javësh dhe atëherë do të shohim. Është normale që vendi i dytë të shkojë në Champions League, nëse për fat të keq Skënderbeu do të dënohet”.