Nexhipi: Dzaria më ka befasuar

Drejtori i Kukësit: Arrijmë objektivat nëse ecim me këtë ritëm. Dzaria, Shkodra dhe Zhderiç na ndihmojnë me eksperiencën e tyre, Ymeraj dhe Ebipi kanë kualitet

Kur është luajtur dhe faza e tretë, duhen bërë dhe llogaritë dhe disa bilance. Kukësi në janar bëri revolucion në stafin teknik, çka u pasua dhe me disa ndryshime të rëndësishme në organikë. Në krye të skuadrës u vu Peter Pakult, së bashku me Rraman Hallaçin, po ashtu pjesë e Kukësit u bë dhe Nderim Nexhipi, i cili mori detyrën e drejtorit sportiv. Për “Sport Ekspres” drejtori i Kukësit flet për merkaton dhe jo vetëm, pasi komenton dhe ecurinë e Kukësit në tërësi. Nexhipi tregon për lojtarin që e ka befasuar nga merkato  janarit, por në të njëjtën kohë tregon se puna për transferimet e verës ka nisur.

– Drejtor, më shumë se një fazë te Kukësi, jeni ne vendin e dytë por dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, si ka qene kjo periudhe në këndvështrimin tuaj?

Mendoj që kjo periudhe ka qene pozitive për të gjithë ne në klub. Nga janari kemi një ecuri të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu në këtë rrugë dhe me këtë ritëm…

– Skuadra duket se nuk ka presion, çfarë ka ndryshuar në ekip?

Nuk është se nuk ka presion, por mendoj që të gjithë lojtarët dhe stafi po menaxhojmë mirë situatën, pasi kur je pjesë e një ekipi si Kukësi, që është kampion në fuqi është normale që të ketë presion. Po bëjmë mirë, por kemi ende ndeshje përpara dhe nuk duhet në asnjë moment të kënaqemi, pasi akoma nuk kemi arritur asgjë. Rezultatet nga java në javë na qetësojnë situatën dhe mendoj se ekipi është i vetëdijshëm për çdo gjë.

– Ndalemi pak te merkato e janarit, pjesa më e madhe e të ardhurve kanë qenë protagonist, në këndvështrimin tuaj si “arkitekt” i merkatos, e kanë përligjur besimin që u është dhënë?

Unë erdha në fillim të janarit në postin e drejtorit te Kukësi. Normalisht për merkato të suksesshme duhet muaj që të përgatitesh. Merkato e janarit është më e vështirë, pasi lojtarët e mirë normal janë nën kontrata me ekipet e tyre. Ne me z.Halilin dhe trajnerin u munduam të sjellim lojtarë ku menduam që kemi nevojë dhe mendoj që deri tani si po shkojnë punët jemi në rregull.

– Ebipi nga Gjermania, Dzaria na Gjeorgjia, Zhderiç nga Rumania, Ymeraj nga Greqia, Balde nga Portugalia, Shkodra nga Skënderbeu, të afruarve gjithë nga vende të ndryshme, sa e lodhshme ishte merkato e janarit?

Jemi munduar të sjellim lojtarë me kualitet, pasi e them edhe një herë se në janar është e vështirë të bëhet merkato. Dzaria, Shkodra dhe Zhderiç janë lojtarë me përvojë dhe këtë po e tregojnë deri më tani. Ebipi dhe Ymeraj janë lojtarë të cilët shpresoj të shfrytëzojnë çdo moment dhe minutë që marrin nga trajneri Pakult, pasi kualitet kanë për të luajtur në Superioren tonë. Balde po riktheu formën fizike optimale mund të jetë një ndihmë më shumë për ekipin.

-Po ai që ju ka befasuar cili është?

Deri tani nga te ardhurit me ka befasuar Dzaria, pasi është një lojtar i cili ndoshta nuk duket shumë, por është tepër i dobishëm për ekipin. Vrapon shumë, është i sigurt me topin dhe ndërpret aksione të kundërshtarëve. Një lojtar si ai besoj çdo trajner ka dëshirë ta ketë në ekip.

– Po mendoni për merkaton e verës, ka diçka konkrete ndoshta?

Kemi filluar të mendojmë për merkaton dhe që tani po piketojmë lojtarë të cilët do mundohemi t’i afrojmë.

– Si e shihni fazën e katërt? 

Faza e 4 besoj është deçizive. Na presin shumë ndeshje dhe një luftë e fortë për vendet e Europës. Mendoj që do jetë interesante. Shpresoj që ekipi ynë të vazhdojë me këtë ritëm dhe në fund të arrijmë objektivat tona.

– Ndeshja me Kamzën mund të jetë një mundësi për të konsoliduar pozitat në vendin e dytë?

Ndeshja me Kamzën është e vështirë. Besoj se do të paraqitemi mire dhe do vazhdojmë me ritmin e fitoreve. Nuk do të jetë aspak e lehtë pasi edhe Kamza ka një skuadër shumë të mirë dhe do jetë një përballje interesante ditën e diel.

– Mund të luani në Champions, ka pasur ndonjë kërkesë nga ana e presidentit apo e trajnerit tani që mund të luani në një nivel akoma dhe më të lartë nëse dilni në vendin e dytë?

Prej momentin që jam bashkuar me ekipin e Kukësit objektivat dihen, kërkohet të fitohet Kupa dhe të arrihen kupat e Europës. Presidenti ne çdo moment motivon ekipin dhe të gjithë janë në dijeni të kësaj. Grupi është i vetëdijshëm se akoma nuk ka mbaruar asgjë dhe duhet të japin 200% në çdo ndeshje për të arritur rezultatet që të kapim vendin e dytë. Më pas duhet të shohim se ku do luajmë, pasi varet nga vendimi i Skënderbeut.

 

ANALIZA E LOJTARËVE TË ARDHUR NË JANAR

Përgatiti: Jurgen Zela

Shkodra, goditja e janarit

Sapo dëgjon apo lexon Donjet Shkodra, menjëherë në mendje të vijnë golat spektakolare nga distanca që ka realizuar te Flamurtari 1 sezon më parë. 28-vjeçarit nuk i shkoi mirë në Korçë dhe në janar kërkoi një aventurë të re te kampionët, duke bërë sakrifikuar ndoshta nga ana financiare, por me garancinë që do të kishte minuta. Kukësi bëri një nga lëvizjet që nuk pritej, por njëkohësisht dhe më të bujshmen. Shkodra e njeh mirë Superioren dhe te Kukësi i nevojitej një lojtar i tillë. Që ishte goditja e madhe u vërtetua më vonë, kur dhe Bakaj la kuksianët. Pas largimit të kryeqytetasit, Shkodra ishte aty, gati për të plotësuar boshllëkun e lënë nga ikja e Bakajt. Edhe pse ishte me interes për t’i parë të dy së bashku, ndodhi vetëm për pak ndeshje. Shkodra është lojtari që është aktivizuar më së shumti nga futbollistët që u afruan në merkaton e janarit. Është aktivizuar në 11 ndeshje, 10 prej të cilëve nga minuta e parë, si dhe në 3 ndeshje të plota në Kupë. Dy gola të realizuar nga 28-vjeçari, i cili e ka gjetur rrjetën ndaj Teutës, duke realizuar golin e dytë (2-1) me takimin që mbaroi 3-2. Po ashtu ka shënuar dhe golin e 2-0 me Skënderbeun në Kukës, por për fatin tij të keq ndeshja mbaroi në barazim 2-2.

 

Zhderiç, pasuesi i Hallaçit

Kroati erdhi si pasues i Hallaçit te Kukësi, pasi kuksiani e mbylli me futbollin e luajtur, sepse drejtuesit verilindor i besuan detyrën e zëvendëstrajnerit. Zhderiç është vetëm 26 vjeç dhe ka luajtur në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Lituani dhe Rumani. Te Kukësi këtë edicion ka luajtur në 7 ndeshje në kampionat, 6 prej të cilave nga minuta e parë dhe ka mundur që të gjejë dhe rrugën e rrjetës që në takimin e parë zyrtar, pasi realizoi në Shkodër golin e avantazhit (1-2) ndaj Vllaznisë, me ndeshjen që përfundoi 1-3. Nga Gaz Metani i Rumanisë te Kukësi, duket se nuk ka qenë një investim i kotë, megjithatë në ndeshjet e fundit ka përfunduar në stol, kjo dhe për shkak të performancës së mirë të Idrizit që e ka justifikuar besimin e trajnerit. Po ashtu, kroati ka luajtur dhe në Kupën e Shqipërisë në 3 takime.

 

Dzaria, gjeorgjiani “i heshtur”

Aventura e parë për Irakli Dzarian jashtë Gjeorgjie përkon me ardhjen te Kukësi. 29-vjeçari la Dila-n në janar për t’u bërë “kuksian”. Në mesfushë Kukësi pati disa largime dhe Dzaria erdhi si “shpëtimtar”. Së bashku me Musollin kanë bërë “digën” për sulmet e kundërshtarëve dhe po përshtatet mjaft mirë. Plot 10 ndeshje si titullar me Kukësin për një lojtar që nuk ka luajtur kurrë larg “shtëpisë” nuk janë pak. Vendimtar Dzaria me golin e shënuar ndaj Laçit në fazën e tretë në Kukës. Kishte vlerën e tre pikëve rrjeta e tij me Kukësin që shënoi një sukses me shumë vlerë, ndaj një kundërshtari direkt për Europën. Tre ndeshje të plota për të edhe në Kupën e Shqipërisë. Gradualisht po bëhet i paprekshëm në formacionin e trajnerit austriak Peter Pakult.

 

Ebipi, në gjurmët e Ethemit

I lindur në Zvicër, me origjinë nga Tetova, i formuar si futbollist te akademia e Grasshopers dhe i aktivizuar në Gjermani te Oldenburg: bëhet fjalë për Lavdrim Ebipin. Ndoshta pak e kanë njohur para golit që realizoi në Vlorë, megjithatë te Kukësi do të kërkojë hapin e madh. Vetëm 40 minuta për të në 3 ndeshje në kampionat i mjaftuan që të gjente rrugën e rrjetës. Ebipi është tetovari i dytë që bashkohet me Kukësin, pasi më verë u afrua Valon Ethemi. Ashtu si për Ethemin edhe për Ebipin pritshmëritë janë të mëdha, me Kukësin që beson se janë e ardhmja e skuadrës. Ebipi është vetëm 23 vjeç dhe në të ardhmen nuk është çudi që verilindorët të përfitojnë nga një shitje e mundshme e tij. Minutat i kanë munguar deri më tani, por premton për të ardhmen në aq pak mundësi sa i është dhënë.

 

Balde, sulmuesi që presin te Kukësi

Amido Balde u afrua në ditën e fundit të merkatos. Edhe pse shihet si zëvendësuesi i Gurit, shtatlarti nuk ka qenë në formën e tij më të mirë dhe ende nuk ka shfaqur në fushën e blertë atë çka pritet prej tij. Lojtari i ardhur nga Portugalia ka lindur në Guinea-Bisau, por problemet shëndetësore nuk e kanë lënë që të bëjë para. Te Kukësi besojnë se mund të bëjë kthesën e madhe, por i duhet ende kohë për të marrë minuta të plota. Vetëm 44 minuta për Baldenë në 4 ndeshje në kampionat dhe 31 minuta në 2 ndeshje të Kupës. Guri ia ka dalë i vetëm që të mbajë repartin e sulmit, por do duhet që të ketë dhe ndonjë ndihmë të vogël. Te Kukësi e presin që të japë kontributin e tij, pasi kanë besim te CV-ja e pasur që ka “gjiganti”, sepse në të shkuarën ka luajtur dhe me Sëlltik.

 

Ymeraj, zbulimi i ri te Kukësi

Kur dëgjon emrin e tij, menja të shkon te legjenda e Milanit, Paolo Maldini, por bëhet fjalë për një lojtar shqiptar të lindur në Gjirokastër. Maldin Ymeraj është vetëm 23 vjeç dhe në dhjetor u bashkua me Kukësin. Prej dy ndeshjesh ka qenë titullar në kampionat në krahun e djathtë të mesfushës dhe ka bërë mirë duhet thënë. I aktivizuar në Greqi dhe në Suedi, Ymeraj po provon një eksperiencë të re te Kukësi. Në Gjirokastrën e tij ishte pranë golit, por fati nuk ishte me të pasi gjeti shtyllën dhe skuadra nuk mundi të barazonte. 6 ndeshje me Kukësin, por vetëm 191 minuta. Verilindorët mund të kenë gjetur një tjetër lojtar premtues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *